VV-ja në Prishtinë akuzon Komunën për shkelje të kontratës për parkingun nëntokësor

Prishtinë | 09 Nën 2022 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka kundërshtuar çmimet për parkingun nëntokësor te Fakulteti Filologjik.

Sipas kësaj partie, në kontratën e nënshkruar në vitin 2019 mes Komunës së Prishtinës dhe shoqërisë tregtare “Parking Center”, shtojca 9 që ka të bëjë me tarifat e parkingut, janë caktuar çmime tjera për dallim prej atyre që janë publikuar.

“Në kontratën koncesionare në mes të Komunës së Prishtinës dhe shoqërisë tregtare ‘Parking Center’ sh.p.k., të nënshkruar me datën 30.10.2019, konkretisht në shtojcën 9 që ka të bëjë me tarifat e parkingut, janë të caktuara tjera çmime nga ato që tashmë i kemi parë në media dhe në vet objektin e parkingut. Po ashtu, në këtë shtojcë, thuhet se çmimet indeksohen një herë në 3 vjet dhe për çdo ndryshim duhet pajtimi i të dy palëve”.

“Në këtë rast është evidente se kemi të bëjmë me shkelje të kontratës nga ana e operatorit privat dhe miratim në heshtje nga ana e organeve komunale, konkretisht kryetari Rama dhe kabineti i tij”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Tutje, VV-ja në Prishtinë ka kërkuar nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, që të sqarohet çështja dhe të zbatohet kontrata e këtij projekti.

“Tarifat duhet të vendosën siç parashihet me marrëveshje dhe të sanksionohen shkelësit e kontratës”.

“Shqyrtimi dhe indeksimi i tarifave për parking mund të bëhet, ashtu siç thuhet në marrëveshje, vetëm pas 3 viteve dhe në marrëveshje me Komunën e Prishtinës”, thuhet në reagim, përcjell Klankosova.tv.

Fotografi të publikuara nga VV-ja:

Të ngjashme