VV-ja ngushëllon familjarët e viktimave në Tetovë, kërkon hetim serioz

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje, ka ngushëlluar familjarët e 14 viktimave që humbën jetën dje pas djegies së spitalit në Tetovë, e ku mbetën edhe shumë të lënduar.

Partia e cila është në krye të Qeverisë së Kosovës, pas këtij shpërthimi ka kërkuar nga organet e rendit brenda Maqedonisë së Veriut një hetim serioz lidhur me shkaqet që çuan në këtë tragjedi.

“Një shpërthimi të tillë brenda spitalit, në këtë kohë kur të gjitha segmentet e shoqërisë dhe shtetit janë vënë në dispozicion të mirëqenies së pacientëve e kundër një virusi që po na kërcënon në vazhdimësi, i duhet një hetim serioz prej organeve të rendit brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në telegram ngushëllimin e VV-së.

Më tej, VV thotë se ngjarje të rënda e tragjike si kjo, i mbajnë bashkë e pranë njëri-tjetrit.

“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët e atyre që humbën më të afërmit e tyre. Duke bashkëndjerë dhimbjen me ta, të lënduarve të tjerë ju urojmë shërim sa më të shpejtë e kthim te familjarët e tyre. Ngjarje të rënda e tragjike si kjo na mbajnë bashkë e pranë njëri tjetrit”.

Të ngjashme