Komuna e Prishtinës po përballet me mungesë transparence, u tha në konferencën e mbajtur nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, tha se Komuna e Prishtinës po përballet me mungesë transparence derisa shtoi që kryetari i komunës ka humbur edhe koalicionin me qytetarët, raporton Ekonomia Online.
“Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet në Prishtinë. Ndryshimet e sjella në Prishtinë u vërejtën menjëherë. Pas kësaj, Lëvizja u dyfishua me vota. Shpend Ahmeti po heq dorë nga programi dhe nga votuesit. Shpendi duke mos pranuar krahë që aq shumë i munguan, po prish koalicionin me qytetarët. Komuna e Prishtinës po kthehet në institucion komplet jotransparent”.
Arbër Vokrri, asamblist i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, tha se vazhdimisht po shtohet numri i ndërtimeve pa leje, ndërkaq po prishet njëri ndër premtimet më të mëdha që VV-ja pati për Prishtinën, raporton EO.
“Gjatë mandatit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Prishtina ka arritur një standard të lartë. Sot jemi dëshmitarë të rritjes së numrit të ndërtimeve pa leje. Kemi rënie apo humbje të plotë të transparencës. Që nga maji nuk është publikuar asnjë leje e ndërtimit. Në Komunën e Prishtinës po ndërtohet pa leje, po përmendim vetëm një shembull të investitorit “Albi Comerce” për ristrukturim të objektit pa leje. Ne jemi duke marrë informata nga qytetarë për ndërtime pa leje në Prishtinë. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë për raste të caktuara”.