VV: Ligji për Gjuhët në Maqedoni – përparim, por e trajton shqipen si minoritare

Prishtinë | 15 Mar 2018 | 17:10 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur votimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni, i cili sipas kësaj partie “edhe pse nuk është zyrtarizim i gjuhës shqipe në Maqedoni, është një përparim sa i përket të drejtave të shqiptarëve”.

“Ky ligj megjithatë ende e trajton shqipen si një gjuhë minoritare, të barabartë me gjuhët e tjera minoritare, romishten, turqishten, vllahishten etj. Kjo është diçka që duhet synuar të ndryshohet, pasi shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, por komb shtetformues autokton”, thekson VV në një komunikatë shtypi

“Edhe pse sipas këtij ligji në bankënota dhe në uniformat e ushtrisë e policisë nuk do të shkruhet shqip, votimi në kuvend përbën një hap përpara, krahasuar me kushtet e vështira dhe diskriminimin shtetëror me të cilin janë ballafaquar shqiptarët në vitet e fundit”.

Sipas Vetëvendosjes, mbetet shqetësuese qasja antishqiptare e VMRO-së, partisë më të madhe opozitare, e cila vazhdon rrugën e njëjtë që ndoqi kur ishte në qeverisje, duke synuar joshjen e segmenteve elektorale me prirje shoviniste kundër shqiptarëve. “Kjo qasje ndjehet që prej bllokimit të presidentit të Republikës, Ivanovit, i cili e ka kthyer këtë projektligj disa herë në kuvend, e deri tek gjestet prej rrugaçi të Gruevskit”.

“Votimi i ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është arritje e domosdoshme por e pamjaftueshme. Kryeministri Zaev kurresesi nuk mund të thotë se tash e kreu detyrimin ndaj shqiptarëve, të cilët e mbështetën të vinte në pushtet. Shqiptarët kanë nevojë të marrin investime prej shtetit pa u diskriminuar, për shkolla më të mira e për vende pune. Ata kanë nevojë për infrastrukturë e pjesëmarrje të barabartë në institucione e administratë shtetërore. Mbi të gjitha kanë nevojë të ndalen ofendimet e kërcënimet ndaj tyre, si dhe diskriminimi në sistemin gjyqësor”.

“Miratimi i këtij ligji ishte dashur të ndodhte që prej gushtit 2001, si pasojë e Marrëveshjes së Ohrit. 17 vjet vonesë nuk justifikohen me një arritje kaq të vogël. Shkollat, punësimi, trajtimi, investimet, buxhetimi, respektimi i shqiptarëve në Maqedoni ende nuk është as për së afërmi në nivelin e Marrëveshjes së Ohrit e lëre më në ato se çka me të drejtë u takojnë shqiptarëve”, thekson Vetëvendosje.

Të ngjashme