Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate të dalë nga mbledhja e Kryesisë së VV-së mbështet fuqishëm Komunën e Prishtinës sa i përket publikimit të listës së punonjësve në komunë e që janë aktivist të këtij subjekti politik
VV thekson se me afrimin e datës së protestës kundër Demarkacionit, ndërkohë që mobilizimi qytetar po rritet, sigurisht, edhe propaganda e pushtetit që mbështetet në gënjeshtra është intensifikuar.
“Ndërkohë që përgjimet e skandalit ‘Pronto’ po e demaskojnë e po i heqin dilemat edhe tek ata pak njerëz që kishin ende dyshime mbi këtë pushtet kriminal, partitë e koalicionit për kapjen e shtetit kanë filluar një fushatë shpifëse kundër qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Prishtinës. Sa më e qartë që duket situata për qytetarët, aq më shumë nevojë për gënjeshtra e mjegull ka ky pushtet”.
“Kësaj radhe, LDK e PDK kanë hedhur një sërë shpifjesh mbi gjoja punësimet e paligjshme nga Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti. Tash që të pabërat u kanë dalë për fushe, nuk mund të thonë më se nuk e meritojnë epitetin “Pronto”, por e vetmja mënyrë e tyre për tu mbrojtur është duke thënë se të gjithë janë si ne. Shpifjet që po i bazojnë në falsifikime listash u demaskuan shumë shpejt nga vetë personat e angazhuar nga Komuna”, thuhet në deklaratën e VV-së.
“Ne e inkurajojmë Kryetarin e Prishtinës që të vazhdojë me projektet zhvillimore dhe punën transparente, duke e siguruar po ashtu se në këtë betejë kundër zhvatësve te klanit ‘Pronto’ gëzon mbështetjen e mbarë anëtarësisë së VV-së, si dhe të gjithë qytetarëve që duan ndryshime në Kosovë”.