VV s’i beson Prokurorisë as Policisë së Kosovës, kërkon hetim ndërkombëtar

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 13:22 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që hetimin e vdekjes së aktivistit të saj, Astrit Dehari, të bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë, pasi kjo parti nuk i beson Prokurorisë as Policisë së Kosovës.

Në një konferencë për media, sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë se në bazë të autopsisë që është bërë mbi trupin e Astrit Deharit edhe nga ekspertë është vërtetuar se në trupin e tij nuk ka pasur asnjë medikament e as ndonjë drogë.

“Edhe në dosjen e burgut ku ka qëndruar ai, është vërtetuar se i ndjeri nuk ka përdorur asnjë medikament gjatë qëndrimit të tij në burg. Kjo polici ka dhënë një informatë të pasaktë dhe është e pamundur të pranohet që kjo polici t’i udhëheqë hetimet e këtij rasti”, ka thënë Molliqaj, raporton Ekonomia Online.

“Familja Dehari dhe Vetëvendosje nuk ka besim që rasti i hetimit të vazhdohet nga Policia e Kosovës, por nga ekspert ndërkombëtarë”

Megjithëse në hetime janë përfshirë dhe mjekët ligjorë të angazhuar nga familja, Molliqaj tha se ata kanë bërë vetëm obduksionin e trupit, jo analizimin e vendit të ngjarjes.

“Jemi të brengosur me mënyrën sesi i kanë administruar provat pa prezencën e mjekëve ligjore dhe pa pjesëmarrjen e familjes”.

Në këtë konferencë janë lëshuar video-përgjimet e rastit të Adem Grabovcit, ku në njërën nga to përmendet edhe emërimi i kryeprokurorit Sylë Hoxha, i cili aktualisht është kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren dhe është përfshirë në hetimin e rastit të vdekjes në burg të Astrit Deharit. Molliqaj tha se nuk mund t’i besojnë këtij njeriu që është emëruar nga “Klani Pronto”.

AVV, po ashtu, ka shfaqur në projektor deklarata të shefit të Policisë së Kosovës në Prizren, Nexhmi Krasniqi, i cili menjëherë pas rastit, kishte deklaruar për një medie se dyshohet se vdekja ka ardhur nga konsumimi i barnave. Molliqaj ka kërkuar përgjegjësi për këtë deklaratë, që sipas tij, nuk mund të jetë “e paqëllimshme”.

Në vazhdim, Molliqaj ka drejtuar kritika në drejtim të gjyqtarit të rastit, Vehbi Kashtanjeva, si dhe ndaj Metush Birajt, i cili është prokuror.

Molliqaj ka konfirmuar se më 27 tetor e ka vizituar Astrit Deharin, së bashku me Sami Kurteshin. Molliqaj tha se vizita e tij nuk ka qenë e fshehtë, por është realizuar me lejen e gjyqtarit Vehbi Kashtanjeva.

Ky i fundit dje për media ka mohuar se ka pasur kërkesë nga Molliqaj dhe Sami Kurteshi për ta vizituar Deharin në burg. Disa medie kanë spekuluar se Dehari ka bërë vetëvrasje pasi ka qenë nën presion nga zyrtarët e partisë, pasi thuhet se ka shfaqur shenja se do të bashkëpunojë me prokurorinë në rastin e sulmit me zollë ndaj ndërtesës së Kuvendit.
lvv

dardan-molliqaj

Të ngjashme