Lëvizja Vetëvendosje, ka përjashtuar gjatë ditës së djeshme anëtarin me inicialet S. D. për shkak se është paditur nga një qytetare e Vitisë për kërcënim.
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social ‘Facebook’, ka njoftuar se LVV dje ka marrë vendim për të përjashtuar anëtarin me inicialet S. D.
Sipas Balajt, anëtari është përjashtuar shkaku i kërcënimeve që i ka bërë një qytetareje në Viti.
Ky është postimi i plotë i Nazlie Balajt:
Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka marrë dje vendim për përjashtimin e anëtarit S. D. (Emrin e plotë nuk po e publikojmë për të ruajtur privacinë e personit).
Anëtari në fjalë ka 14 ditë kohë për t’u ankuar ndaj këtij vendimi pranë Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave.
Ky vendim është marrë pas analizës së bërë nga komisioni, dhe është bazuar në vendimin e Gjykatës së Qarkut në Viti, në lidhje me kërcënimet që kanë ndodhur, si dhe cenimin e integritetit të një qytetareje të Vitisë e cila e ka paditur personin në fjalë.
Raste të tilla janë të patolerueshme për vlerat shoqërore të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! synon të çojë përpara.