VV: Raporti financiar i shpenzimeve për vitin 2017 në Fushë Kosovë, material për Prokurorinë

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 13:33 | Nga

Komuna e Fushë Kosovës së fundmi ka sjellë në Kuvend Komunal për shqyrtim Raportin financiar të Shpenzimeve për periudhën janar- dhjetor 2017.

Sipas komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje ky raport është tejet joprofesional dhe kontradiktor dhe si i tillë, nuk ka arritur të mbulojë anomalitë që e karakterizojnë qeverisjen Berisha, e mbi të gjitha keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e buxhetit.

Fushë – Kosova mbetet njëra nga komunat me shëndetësi të rrënuar ku mungojnë gjërat elementare; me pika ambulantive jofunksionale. Me kaos në arsim; me klasa me nga 40- 45 nxënës e me nga tri ndërrime. Me shumë objekte të destinuara për shkolla e çerdhe të lëna të pashfrytëzuara e të mbyllura me dry, përderisa ka veç një çerdhe publike për mbi 50 mijë banorë sa ka zyrtarisht të regjistruar kjo komunë. Me raste sociale gjithnjë në rritje e me buxhet pa ndikim në zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale.

Në Raportin e Shpenzimeve për vitin 2017, shohim ndarjen sipas programeve:

Administrata 3,868,459.49€;

Arsimi 3,422,488.03€;

Shëndetësia 1,215,176.11€ dhe

Zyra e Komuniteteve 33,563.45€

Nëse e krahasojmë buxhetin e shpenzuar për Administratë me atë të Shëndetësisë, shohim që ka dallim me një shumë prej 2,653,283.38€, e që është dallim shumë i madh duke ditur rëndësinë që ka ky sektor.

Pra, përqindjen më të madhe të buxhetit e merrë Administrata me 45%, dhe ne mendojmë që këto shpenzime janë të larta si pasojë e keqplanifikimit dhe keqpërdorimit.

Me teatër jofunksional , ndonëse ekziston qendra e kulturës. Pa aktivitetet letrare e artistike, pa galeri për ekspozita e pa muze! Dhe pavarësisht mjerimit social, kulturor e arsimor, buxheti nuk orientohet aty ku nevojat janë më të mëdha, por aty ku është forma më e lehtë për t`u keqpërdorur.

Të hyrat vetanake kanë shënuar rënie ndërsa komuna për efekt elektoral, ka liruar nga tatimi të gjitha bizneset, pa kurrëfarë kriteri a vlerësimi. Nuk ka grumbulluar të hyrat nga tatimi në pronë, nga shfrytëzimi i hapsirave publike e as nga lejet ndërtimore.

Nga viti në vit barten mjete, e të cilat më pas shfrytëzohen në kohë fushate për të shtruar rrugë me cilësi të dobët e për të ndarë subvencione. Shumica e rrugëve të asfaltuara para fushatës zgjedhore, kanë filluar të plasariten e të prishen. Totali i buxhetit të shpenzuar për periudhen janar – dhjetor 2017 ka qenë 8,539,687.80€ dhe kemi bartje prej 2,055,748.01€ që tregon se përkundër alokimeve totale në buxhet totale prej 10,595,427.09€ janë shpenzuar mbi 8,5 milionë euro duke pasur mbetje mbi 2 milion.

Shpenzimet e Zyrës së Kryetarit kanë arritur shumën prej 173,237.54€, ku prej të cilave 99,839.60€ janë Paga dhe Meditje; 44,993.55€ Subvencione dhe Transfere 28,404.39€ Mallra dhe Sherbime, e që në këtë rast i bie që Zyra e Kryetarit ka shpenzuar mjete për mallra e Shërbime vetëm 1,755€ më pak se e gjithë administrate në këtë kategori të shpenzimeve.

Në paraqitjen e detajuar të shpenzimeve të Drejtorisë së Inspekcionit vërejme se te kategoria Mallra dhe Sherbime janë përfshirë edhe shpenzimet në zerin “Shërbimet e Varrimit” në vlerë prej 500€.

Edhe tek Zyra e Kuvendit vërejmë se të kategoria Mallra dhe Sherbime janë përfshirë shpenzimet në zërin “Sherbimet e Varrimit” në vlerë prej 1,000€.

Këtë dukuri e vërejmë edhe tek paraqitja e shpenzimeve edhe të Drejtoria Infrastrukturës Publike, Zyra për Komunitete, Drejtoria e Bujqësisë, Drejtoria e Urbanizmit, të shpenzimet për Administraten e Shendetësisë dhe Zyra e Kuvendit.

Një dukuri tjetër shfaqet edhe te shpenzimet e institucioneve shkollore dhe atyre para-shkollore, ku shuma totale e shpenzimeve për karburant për gjenerator është 14,094.85€, ndërsa kanë paguar energji elektrike në shumë prej 28,440.00€.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje, në Fushë Kosovë, shprehë shqetësimin në lidhje me shpenzimin e parasë publike nga ana e ekzekutivit të kësaj komune dhe njëherit i bënë thirrje Prokurorisë që të fillojë hetimet në lidhje me çdo cent të shpenzuar. Në këtë dokument të komunës poashtu përfshihen edhe shumë projekte të cilat parashihen çdo vit si në planifikim ashtu edhe në raport si punë të përfunduara, por që gjendja në tërren nuk po ndryshon aspak për të mirë. Prandaj, është nevojë urgjente që kësaj qeverisjeje arrogante e të papërgjegjshme t`i ndalet avazi, e të japë llogari para drejtësisë për mënyrën se si ka menaxhuar me buxhetin e Komunës për vite me radhë, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Të ngjashme