Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se policia sot e vazhdoi atë aksion që ka filluar tash e sa ditë, të montimit të sulmeve.
Përndjekja dhe arrestimi i 6 aktivistëve Adea Batusha, Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi Lëvizja vetëvendosje po e quan akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve poltikë, dhe sipas tyre po bëhet vazhdimisht nga ky pushtet.
“Këto metoda nuk janë parë për herë të parë sot kështu ka bërë edhe UDB. Kështu janë arrestuar Trimi dhe Kushtrimi ndërsa prokurori ka hequr dorë nga aktakuzat”, tha ai.
Ymeri ka thënë se ndërhyrjet e policisë vetëm sa e bëjnë rrugën e qartë përpara të VV-së deri në shkatërrimin e këtij pushteti mafioz.
“Kështu u patën arrestuar dhe akuzuar më herët edhe aktivistët Trim Gashi dhe Kushtrim Avdimetaj. Trimi akuzohej për tentim vrasje ndaj Kryeministrit, dhe u shpallë i pafajshëm nga gjykata. Kushtrimi akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe sulm ndaj shtëpisë së Kryeministrit. Prokuroria ka hequr dorë nga këto hetime dhe akuza. Në të dyja rastet policia e urdhëruar nga pushteti pati arrestuar dhe keqtrajtuar aktivistët pa pasur kurrfarë prove. E njëjta gjë po ndodh edhe tash”, u shpreh Ymeri.
Dardan Molliqaj sekretar i VV-së, deklaroi se aksioni i sotëm është tregues që konfirmon atë që organizatat ndërkombëtare e kanë thënë për Kosovën, që është duke shkuar në drejtim të një shteti autoritar.
Ai poashtu e quajti RTK-në mjet propagandistik të pushtetit, kurse drejtorin e saj, Mentor Shalën, një prej kriminelëve kryesor në fushën e mediave.
Tutje, Molliqaj deklaroi se Policia e Kosovës nuk ka vullnet dhe nuk po mund ta luftojë krimin, prandaj po sajon raste të tilla.
“Kjo polici në këtë panik, në këtë presion është dashur patjetër ta sajojë një fajtor. Ju e dini që edhe më herët është sajuar fajtori i djegies së veturave në atë kohë dhe i sulmit ndaj shtëpisë së Kryeministrit dhe sot janë tërhequr akuzat ndaj tyre. Pra, e njëjta logjikë është edhe sot. Atyre iu duhet një fajtor për ta shfryrë opinionin publik dhe për ta linçuar Vetëvendosjen”, deklaroi Molliqaj.
Ai përmendi edhe përgjimet, duke theksuar rastin e përgjiimit që u publikua sot, ku Adem Grabovci kontrollon gazetarin e RTK-së, Zejdush Kastratin, si dhe rastin e Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunin, i cili është në shërbim të klanit Pronto poashtu.