VV: Do t’ia kthejmë dinjitetin Republikës së Kosovës

Kaçanik | 08 Qer 2017 | 18:12 | Nga

Në tubimin elektoral të mbajtur në Kaçanik, kandidati për deputet nga kjo komunë, ka thënë se ky qytet nuk është mposhtur, nuk mposhtet dhe kurrë nuk do të mposhtet.

“Sot veç një pyetje është sjellë në mendjen time: ç‘ka nëse VV-ja del e para?! Dhe të gjitha përgjigjet u bashkuan në një: çlirimi i dytë dhe kthimi i dinjitetit të Republikës së Kosovës”, tha Avni Tafili në tubimin në Kaçanik.

Ndërsa, për ata që e kanë shkelur, shtypur, shtrydhur, mashtruar qytetarin e Kosovës, Tafili iu referua një qytetari, i cili kishte thënë se për ta 11 qershori do të jetë një ditë zie.

“Vija e vetme e kuqe është e vetmja vijë që nuk tradhton. Me 11 qershor ne do të votojmë numrin 35”, theksoi në fund kandidati për deputet, Avni Tafili.

Bala: Do të jemi zëri i atyre që janë shtypur e nëpërkëmbur

Anëtarja e Kryesisë dhe kandidatja për deputete nga VV-ja, në tubimin elektoral në Kaçanik, është shprehur e bindur për fitore.

“Vetëvendosje do të jetë zëri i atyre që janë heshtur, forca e atyre që janë shtypur, shërimi i të sëmurëve, dinjiteti i atyre që janë nëpërkëmbur”, tha Nazlie Bala në tubimin zgjedhor në Kaçanik.

Ajo shtoi se Kosova nuk i takon asnjë klani, por se Kosova është e të gjithëve pa dallim.

“Kosova është e popullit të saj. Le të lëvizim së bashku. Le ti japim të gjithëve lajmin e mirë”, porositi kaçanikasit Nazlie Bala.

Shkreta: Qeveria Kurti do të jetë e pa korruptuar

Kandidati për deputet Mirsad Shkreta, në fjalën e mbajtur në tubimin e VV-së në Kaçanik, është zotuar se qeverisja e VV-së do të sjellë punësim për të papunët e të varfrit dhe do ta përmirësojë shëndetësinë.

“Tash është koha e qeverisjes së re, tash është koha e VV-së. Qeveria jonë do të jetë pa korrupsion, do të luftojë mafinë, qeveria jonë do të jetë pa kriminelë dhe do të vendosë drejtësinë. Qeveria jonë do të jetë pa tradhëtarë, do të mbrojë kombin. Kjo do të jetë qeveria Kurti”, ka thënë Shkreta në tubimin e VV-së, në Kaçanik.

Ai shtoi se synimi i VV-së është që të mos lëmë asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë familje pa një anëtar të punësuar.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme