Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral në Podujevë, ka numëruar 40 masa ndërhyrëse të qeverisjes së tij, mes të cilave janë dhe nxjerrja e ligjit antimafia e ligjin e Vettingut.
Edhe në këtë tubim, Kurti ka theksuar se shteti i Kosovës me qeverisjen e Vetëvendosjes do të jetë gjithkund dhe gjithmonë më i fortë dhe i pranishëm se sa çdo familje a individ që deri tani kanë qenë më të fortë se shteti.
Kurti gjithashtu nuk la pa përmendur shembullin e qeverisjes lokale të VV-së në komunën e Prishtinës si shembulli që Vetëvendosje i mban zotimet e saja. Madje Lëvizja do të realizojë edhe premtimet e kundërshtarëve politik nëse ato janë të arsyeshme ose të kopjuara më herët nga propozimet e Lëvizjes, u shpreh Kurti.
Kandidati për kryeministër tha se Vetëvendosje do të jetë shërim për qytetarët dhe shërbim ndaj Republikës. “Ky shërbim ndaj Republikës do të jetë në shërbim të të gjitha nevojave bazike të shoqërisë dhe ndërtimit të shtetit”.
Për realizimin e këtyre detyrave të menjëhershme Kurti listoi disa prej 40 masave ndërhyrëse të qeverisjes së VV-së si: rivitalizim i plotë i sistemit të ujitjes, kanalizim për të gjitha fshatrat me 200 shtëpi, zvogëlim i numrit të ministrive, zvogëlim i pagave të polikanëve në raport me pagën minimale, rritje e pensioneve, fondi i sigurimeve shëndetësore, shtesa në muaj për fëmijët, sigurim i jetës për policët dhe zjarrfikës, ndërtimi i 160 çerdheve, trefishim i inspektorëve të punës, dialog i hapur me serbët e Kosovës, arsim publik falas, dhe ligji antimafia me ligjin e vettingut.
Në mbyllje Kurti u bëri thirrje qytetarëve se nëse janë të lodhur nga qeverisje e deri tanishme atëherë të votojnë masivisht numrin e ndryshimit, numrin 35.
Ajet Potera: Platforma politike e VV-së më e mira për Kosovën
Në tubimin e Vetëvendosjes në Podujevë, fjalën hapëse e mbajti Ajet Potera. Ai tha se platforma politike e Vetëvendosje-s përfshin të gjitha segmentet e duhura për një zhvillim normal të shoqërisë.
“Ndër prioritet për të cilat insistojmë të jetësohet është fusha ekonomike”, tha Potera në tubimin zgjedhor.
“Unë jam zëri i përhershëm dhe këmbëngulës i atyre që prodhojnë të mira materiale me ndershmëri.
Mungesa e sigurimeve shoqërore pas kaq shumë vitesh është skandaloze, e kjo s’do të ndodhë më.
Duke qenë në këto rrjedha kohë të gjatë, që nga ushtari i UÇK-së deri te pjesëtari i forcave të sigurisë së Kosovës, krijimi i ushtrisë së Kosovës do të bëhet sa më parë”, premtoi tutje ai.
Në fund, Potera tha se me 11 qershor 1999 bashkë me bashkëluftëtarët ka hyrë fitimtar në Prishtinë dhe më 11 qershor 2017 “do të hyjë triumfues me Vetëvendosjen në Kuvendin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Bajram Ajeti: Vetëm me Albin Kurtin kryeministër vjen ndryshimi, kthehet shpresa
Kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për deputet, Bajram Ajeti, tha në tubimin zgjedhor në Podujevë se Llapi nuk e ka merituar jo vetëm qevverisjen qëndrore, por edhe atë lokale që e kemi këtu.
“Llapi ka një qeverisje lokale autokratike që bazë ka nepotizmin, shërbime familjare dhe private.
Mos u çuditni sepse dy vitet e para është udhëhequr komuna jonë me shkollë të mesme. Diplomën e fakultetit e ka marrë brenda natës për t’u bërë kryeminsitër. Ka shtruar asfalt të hollë me korrupsion të trashë”, tha në fjalën e tij Ajeti.
Tutje shtoi se nuk ka gja ma atë vështirë se në ditë të vështirë kur e kujton të mirën, kur e krahason administrimin e komunës së Prishtinës dhe asaj të Podujevës dhe e kupton se sa e rëndë është gjendja e Podujevës sot.
“Nëse doni shtet të së drejtës, nëse doni shtet zhvillimor, nëse doni shtet social votoni Vetëvendosje-n, sepse vetëm ne dhe me Albin Kurtin kryeminsitër, Republika e Kosovës do ta arrijë ndryshimin.
Saranda Bogujevci: Në Vetëvendosje takova njerëz me vullnet e guxim
Kandidatja për deputete, Saranda Bogujevci, ka folur në tubimin elektoral të Vetëvendosje-s në Podujevë, tubimi i tretë sot, pas Mitrovicës e Lipjanit.
“Unë jam lindur dhe kam kaluar fëmijërinë në këtë qytet, dhe si shumë familje të tjera në Kosovë, edhe familja jonë ka përjetuar dhunën dhe terrorin e Serbisë. Kemi humbur një pjesë të madhe të familjes, e ne që mbijetuam mbetëm me plagë për tërë jetën”, tha në fjalën e saj Bogujevci.
Ajo shtoi se ndihet krenare me gra e vajza të Llapit e Kosovës
që kanë dhënë shumë për këtë vend, e foli edhe për angazhimin në Vetëvendosje, duke thënë se ishte shumë e lehtë të jetë pjesë e saj.
“Këtu e gjeta veten të rrethuar me shume gra dhe burra të përgatitur, që me vullnetin, guximin, dhe pa u lodhur asnjëherë,me vite e vite kanë punuar e kanë mbrojtur interesin e këtij vendi. Por, mbi te gjitha, gratë e burrat e Lëvizjes kane diturinë dhe vizionin se si ta çojnë Kosovën përpara. Në programin e Levizjes Vetvendosje i është dhënë hapsire e madhe çështjeve të të drejtave dhe obligimeve që shtetit ka ndaj grave në Kosovë, të cilat përjetojnë për çdo ditë, diskriminimin ekonomik, politik e social”, tha veç tjerash, Saranda Bogujevci në tubimin e sotëm në Podujevë.
“Unë nuk e pranoj që familja ime ta ketë humbur jetën për këtë Kosovë që kemi sot. Jam e bindur që asnjë qytetar i Kosoves nuk ka luftuar dhe punuar që te kemi një liri gjysmake dhe Kosova të jetë e zhytur në varfëri. Kosova do të rimëkëmbet, për këtë nuk kam asnjë dyshim. Kjo rimëkëmbje fillon në datën 11 qershor”, përfundoi Bogujevci fjalën e saj.
Sveçla në Podujevë: Me qeverisjen tonë do të hetohet veprimtaria e ShIK-ut
Xhelal Sveçla në tubimin zgjedhor në Podujevë ka thënë s Lëvizja Vetëvendosje është vetëm shprehja, kërkesa dhe angazhim i vullnetit të popullit për rimëkembje dhe për ndryshime rrënjësore. Ai tha se Vetëvendosje është subjekti i vetëm që mund ta realizojmë kërkesën e popullit dhe njëherë e përgjithmonë t’i largojmë këta matrapaz nga politika.
“Ne, si Lëvizje Vetëvendosje do të inicojmë hetimin e SHIK-ut dhe Sigurimit të Atdheut, Fondit Vendlindja Thërret e Fondit 3% që njeherë e përgjithmonë të zbardhet e vërteta, keqpërdorimet e krimet e kryera nga ta. Vetëm kështu ne mund t’i sjellim drejtësi popullit tonë dhe të parandalojmë çfarëdo plani apo ideje të kujtdo apo cilitdo për të vazhduar njëjtë”, ka thënë Sveçla në këtë tubim.
Sveçla tha po ashtu se Lëvizja Vetëvendosje është ka prioritet zbardhjen e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, por edhe zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës.
“Ne jemi në prag të fitores, andaj deri me 11 qershor na duhet angazhimi i të gjithëve dhe grushti i secilit që goditja të jetë fatale për këto klane kriminale”, tha tutje Sveçla.
Sveçla në fund prezantoi deputetët e zonës: Bajram Ajetin, Saranda Bogujevcin, Shemsie Vokrrin, Albulena Haxhiun, Sylejman Pirevën, Nazlie Balën dhe Valbona Bajramin.