Washington, debati për sigurinë e zgjedhjeve

Prishtinë | 31 Kor 2020 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Donald Trump tha të enjten se votimi me postë mund të çojë në manipulimin e zgjedhjeve dhe vonimin e daljes së rezultatit. Presidenti sugjeroi të enjten herët shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve, por në konferencën për shtyp në mbrëmbje presidenti u shpreh se nuk do shtyrjen, por gjithashtu nuk do zgjedhje të parregullta. Komenti fillestar kishte shkaktuar reagime të forta në qarqet politike dhe në Kongres, ku po dëshmonte Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Presidenti ngriti mbrëmë shqetësime për problemet që mund të lindin nga miliona fletëvotime të dërguara me postë.

“Do të dërgohen qindra miliona fletëvotime me postë. Qindra miliona. Ku shkojnë? Në adresë të kujt?”

Në konferencën për shtyp dje në mbrëmje, presidenti tërhoqi një koment të bërë më herët po dje për të shtyrë zgjedhjet në këtë periudhë krize:

“Dua zhvillimin e zgjedhjeve dhe daljen e rezultatit. Nuk dua vonesa. Dua të zhvillohen votimet. Por gjithashtu, nuk dua të pres për tre muaj dhe të mësoj më pas se mungojnë fletëvotime dhe se zgjedhjet nuk kanë vlerë,” tha zoti Trump.

Presidenti citoi njoftime të medias për probleme me votimet me postë, pasi fletëvotimet kanë mbërritur vonë. Ai ngriti përsëri pretendimin e tij se votat me postë lënë shteg për manipulime e parregullsi:

“Votat me postë do të çojnë në mashtrimin më të madh. Sa është folur për Rusinë dhe për dy vjet e gjysmë nuk gjetën gjë pasi nuk kishte asgjë. Por meqë flasin aq shumë për Rusinë, flasin për Kinën, për vende të tjera që thonë se përziehen në zgjedhjet tona. Këto radhë do të jetë e lehtë për të manipuluar votat me postë”.

Komentet në konferencën për shtyp pasuan reagimin e shpejtë dhe të fortë dypartiak të udhëheqësve në Kongres pas një postimi në Twitter ku presidenti sugjeronte shtyrjen e zgjedhjeve.

Presidenti nuk ka autoritetin për të shtyrë zgjedhjet që janë planifikuar për 3 nëntor. Datën, në bazë të Kushtetutës, e cakton Kongresi.

Presidenti e bëri sugjerimin në Twitter ndërkohë që sekretari i tij i shtetit po dëshmonte në Senat mbi propozimet për shkurtime në buxhetin e Departamentit të Shtetit.

Disa senatorë demokratë u shprehën të tronditur nga komenti i presidentit dhe e pyetën Sekretarin e Shtetit, Pompeo nëse presidenti mund të shtyjë zgjedhjet.

“Ju jeni një nga juristët më të përgatitur, më të kualifikuar që shërbejnë aktualisht në administratë. A mund të shtyjë presidenti zgjedhjet?” pyeti Senatori demokrat Tim Kaine Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

“Senator, Departamenti i Drejtësisë dhe të tjerë marrin vendimin ligjor. Ne të gjithë duhet të kërkojmë, e di se edhe ju, zoti Senator, e kërkoni që zgjedhjet të jenë të besueshme. Jo thjesht të drejta, por edhe të certifikueshme,” tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Senatori demokrat Tom Udall tha se kishte dëgjuar shqetësime se Shtetet e Bashkuara mund të mos shërbejnë më si shembull i demokracisë për botën, pasi Presidenti Trump nuk pranoi të deklaronte nëse do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve.

Ai iu drejtua Sekretarit Pompeo me pyetjen:

“Nëse Presidenti Trump nuk pranon të njohë rezultatin e zgjedhjeve pasi nuk ka besim te votimet me postë, a do t’i respektoni ju zgjedhjet dhe t’i certifikoni siç bën zakonisht Departamenti i Shtetit në vende të tjera të botës,” pyet Senatori Udall.

“Zoti Senator, nuk do të spekuloj tani për 15 të panjohura në atë skenar. Ju e dini, e kam thënë në mënyrë të përsëritur para këtij komisioni, unë ndjek ligjin, respektoj Kushtetutën. Jam përpjekur ta bëj një gjë të tillë në çdo gjë që kam bërë dhe do të vazhdoj ta bëj çdo ditë,” tha zoti Pompeo.

Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha se zgjedhjet duhet të zhvillohen sipas planit, më 3 nëntor:

“I kuptoj shqetësimet e presidentit për votat me postë, të cilat ndryshojnë nga votat në mungesë. Por kurrë në historinë e zgjedhjeve federale nuk është shmangur votimi. Këto votime duhet të vazhdojnë sipas planit”.

Lidhur me votat me postë, Shoqata Kombëtare e Drejtorëve Shtetërorë të Zgjedhjeve dhe Shoqata Kombëtare e Sekretarëve të Shtetit, të dyja të përbëra nga zyrtarë shtetërorë që mbikqyrin procesin në shkallë shtetesh, thanë për Zërin e Amerikës të enjten se nuk janë në dieni të ndonjë problemi që mund të ndikojë tek siguria e zgjedhjeve të 3 nëntorit./voa/

Të ngjashme