Anulimi i takimit të Washingtonit ka bërë që Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania t’i rindezin motorët sa i përket çështjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Vetëm brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore është mbajtur Samiti i Parisit, një takim virtual i nivelit të lartë i drejtuar nga BE-ja dhe një takim që do mbahet sot në Bruksel e në të cilin do të takohen kryeministri Hoti dhe Aleksander Vuçiq.
Por në këtë periudhë të shkurtër kohore s’ka munguar as komunikimi me Rusinë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para organizimit të Samitit të Parisit ka zhvilluar një bisedë me Vladimir Putinin, me të cilin e kanë hapur edhe temën e Ballkanit Perëndimor. Derisa Përfaqësuesi Special i BE-së, Mirsolav Lajcak, më 13 të këtij muaji ka takuar Përfaqësuesin e Përhershëm të Rusisë në BE, Vladimir Chizov.
Eksperti gjerman dhe njohësi i rrethanave të Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, në një prononcim për Gazetën Express thotë se s’ka asgjë për t’u shqetësuar rreth këtyre diskutimeve. Ai thotë që nëse Kosova dëshiron ulëse në Kombet e Bashkuara, atëherë duhet komunikimi me Rusinë dhe Kinën.
“Nuk do t’i konsideroja si takime të “shpeshta” këto kontakte me Rusinë. Nuk ka asgjë shqetësuese prej tyre. Nëse Kosova dëshiron t’i hapë rrugë synimeve të veta për një ulëse në Kombet e Bashkuara përmes një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse, atëherë duhet të ketë komunikim me Rusinë dhe Kinën. E vetmja pyetje është si dhe kur”, ka thënë Bodo Weber për Gazetën Express.
I pyetur rreth Samitit të Parisit dhe përmbajtjes së komunikatës së përbashkët Merkel-Macron, Weber ka thënë se s’sheh dallime thelbësore mes dy liderëve. Madje ai thotë se tashmë ata pajtohen më shumë sesa ishin pajtuar vitin e kaluar gjatë Samitit të Berlinit.
Weber, gjithashtu, ka thënë se s’pajtohet me konstatimin se Samiti i Parisit s’ka prodhuar asgjë. Sipas tij, ndryshe nga takimet e organizuara nga Grenell, Parisi dhe Berlini synojnë që të rinisin dhe vendosin në binar një proces i cili ishte devijuar në tri vitet e fundit dhe që të bëjnë diçka që s’ka ndodhur deri tani, vendosjen e kornizës së negociatave.
“Para se gjithash, unë nuk shoh më dallime substanciale mes Macronit dhe Merkelin, sigurisht ka më pak se kur ata bashkuan forcat për organizimin e Samitit të Berlinit në prillin e vitit të kaluar. Së dyti, unë besoj se është i gabuar perceptimi se Samiti i Parisit s’ka prodhuar ndonjë rezultat. Ndryshe nga samitet e Grenellit, të dizajnuar për promovimin e vetes dhe me substancë të pa qartë, BE-ja , Berlini dhe Parisi synojnë që ristartojnë procesin e negociatave i cili ishte keqorientuar në tri vitet e fundit. Gjeja më e rëndësishme në Paris si dhe në takimet vijuese, është që të ristartohet procesi dhe të bëhet diçka që nuk është bërë deri tani, të definohet korniza e negociatave. Si parakusht kryesor që mundëson drejtimin e negociatave thelbësore që kanë potencialin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka theksuar eksperti gjerman.
Anëtari i DPC tutje ka thënë se pajtohet me qëndrimin e deputetes gjermane, Renata Alt, se kancelarja gjermane Angela Merkel duhet të tregoj lidership në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe që mos t’i lejoj hapësira Macronit për të marrë në dorë procesin.
Sipas Weber, vetëm kur Merkel ka drejtuar procesin ka pasur një dialog real. Megjithatë ai thotë se është mirë që Gjermania ta ketë në krah Francën, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Teksa ka folur për përpjekjet e Macronit për afrim me Rusinë, Weber thotë se mes Parisit dhe Berlinit ka dallime sa u përket çështjeve globale, por thotë se të tilla dallime nuk janë aq të rëndësishme sa për të pasur ndikim në përpjekjen gjermano-franceze për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pajtohem me atë qëndrim- kurdo që kancelarja Merkel ka treguar lidership në dialogun Kosovë-Serbi, ne kemi pasur dialog real. Ajo duhet të vazhdojë të jetë e zëshme. Është mirë, dhe e nevojshme për Gjermaninë që ta ketë Francën në krah sa i përket Ballkanit Perëndimor, veçanërisht tashmë kur Britania e Madhe është larguar nga BE’ja. Por Gjermania ka një dekadë më shumë eksperiencë në rajon dhe me dialogun sesa Franca, një dekadë në të cilën Parisi vendosi që të largohet nga rajoni. Kur vjen puna tek Macron dhe Rusia, përpjekjet e tij për afrim me Rusinë dhe Putinin kanë ngritur shqetësime rreth të qenit naiv dhe për minimin e unitetit të BE’së për Ukrainën etj. Dhe përderisa Macron dhe këshilltarët e tij insistojnë që ata s’janë naiv, unë kam frikë që ata kanë pasur shpresa jo reale në dëshirën e tyre për bashkëpunim me Putinin. Por këto janë më shumë dallime globale mes Parisit dhe Berlinit, nuk mendoj që janë mjaftueshëm të rëndësishme për të pasur një ndikim në përpjekjet e Berlinit dhe Parisit sa i përket dialogut (Kosovë-Serbi”, ka theksuar Weber.
I pyetur nëse do të ishte më mirë që Lajçak të takohej me emisarin amerikan Richard Grenell sesa me Përfaqësuesin e Rusisë, Weber ka thënë se sllovaku s’ka pasur se çfarë të bëjë më shumë pasi që Grenell ka refuzuar çfarëdo kontakti.
Megjithatë Weber thotë se Lajçak dhe Bashkimi Evropian duhet të fokusohen për negociata me një kornizë negociuese të bazuar në logjikën, principet dhe synimet e kornizës origjinale të dialogun 2011/13, që si rezultat duhet të përmbyll mosmarrëveshjen rreth statusit duke bërë që Serbia të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Sipas ekspertit gjerman, vetëm kur gjërat të mbërrinin në këtë stad, atëherë do të duhej forcuar komunikimi me Uashingtonin dhe Moskën për aq sa do të jetë e nevojshme.
“Nuk është në pyetje se çfarë është më mirë. Z. Grenell së fundi ka refuzuar çfarëdo kontakti me Lajçakun, kështu që Laçak nuk ka shumë se çfarë të bëjë, megjithëse ai duket se është në kontakt me homologët e tij në Departamentin e Shtetit. Në përgjithësi, do të thosha që z. Lajcak, dhe BE duhet fillimisht që të fokusohen në veten e tyre, për të vendosur dialogun në rrugë dhe për të zhvilluar negociata të drejta duke punuar drejt një kornize negociuese që ndjek logjikën, principet dhe synimet e kornizës origjinale të dialogun 2011/2013. Dhe për të rikthyer narrativë e sinqertë të 2013, veçanërisht drejt Beogradit, në atë për çfarë dialogu dhe negociatat janë- për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes rreth statusit nga Serbia duke pranuar realitetin e një Kosove të pavarur. Dhe nga kjo pozitë e qartësisë duhet forcuar komunikimin me Uashingtonin me Moskën aq sa është e nevojshme, dhe sigurisht në momentin e duhur”, ka shtuar Bodo Weber.
Në fund Weber ka thënë se e kaluara ka dhënë mësime se qasja më e suksesshme e perëndimit për rajonin e Ballkanit është ajo e injorimit të Rusisë, pasi sipas tij, Moska rajonin e përdor vetëm për qëllime të veta instrumentalizuese.
Ai thotë se Perëndimi dhe BE duhet që të çojnë negociatat drejt një finaleje që rezulton me kompletimin e shtetësisë së Kosovës dhe që liron Serbinë nga barra e një politike fiktive karshi Kosovës.
Sipas tij, sapo të ndodh një gjë e tillë atëherë do të mund të shkohej tutje me diskutime me Moskën, por assesi më herët.
“Historia e fundit në Ballkan na ka mësuar se qasja më e suksesshme e Perëndimit është të injorimi i Rusisë, pasi Rusia nuk ka interes origjinal, strategjik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por qartësisht instrumental. Perëndimi, dhe veçanërisht BE, duhet të ndjek politikën që është më e mira për rajonin, konkretisht duhet të menaxhojnë suksesshëm negociatat drejt një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe që kompleton shtetësinë e Kosovës, dhe që liron Serbinë nga barra historike e politikës virtuale për Kosovën, dhe që më pas hap perspektiven e dy vendeve për integrimin në BE. Sapo të kompletohet kjo, BE, konkretisht me Beogradin duhet të kthehen prapë tek Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Rusia për të pasur diskutime serioze me Moskën. Por jo përpara”, ka përfunduar Bodo Weber për Gazetën Express.
Ndërkohë, sot në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të ndërmjetësohet nga Josep Borell dhe Miroslav Lajçak. Negociatat do të fillojnë në orën 16:00, dhe një prej temave kryesore do të jetë diskutimi për personat e zhdukur.