Xavi, trajneri i Barcelonës, në prag të derbit me Espanyolin dhe pesë ditë para ndeshjes së Europa League me Napolin, doli në konferencën për shtyp.
Ai është i lumtur me progresin e ekipit të tij, sidomos pas ardhjeve të reja në janar.
Por, që të rritet ekipi, ai thotë se kanë nevojë për rezultate të mira ndeshje pas ndeshje.
“Duhen dy-tre rezultate pozitive radhazi. Po punojmë mirë, e kemi mbajtur gjithë javën me stërvitje që të përgatitemi për këtë ndeshje dhe ndjesitë janë pozitive. Nuk po hedhim poshtë asnjë objektiv. Në kampionat jemi 15 pikë nga vendi i parë, me një ndeshje më pak, por nuk përjashtojmë asgjë. Do të varet nga ndeshjet e radhës dhe si djemtë do të reagojnë”, kështu është shprehur Xavi.
Ai disa herë ka përsëritur se objektivi është pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe triumfi në Europa League.