Kampioni aktual i Spanjës dhe Evropës, Real Madridi, nuk luan futboll të bukur sikur rivali i tij i përbetuar, Barcelona, sipas Xavit.
Madridi e fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, por këtë sezon djelmoshat e Zinedine Zidane po kalojnë nëpër një krizë, pasi tashmë kanë mbetur 16 pikë prapa liderit Barcelonës në La Liga.
Ish-mesfushori i Barcelonës, Xavi, beson se Madridit i mungon kultura e futbollit të bukur në “Santiago Bernabeu”, teksa e nënvizoi kohen e Jose Mourinhos në krye nga vitet 2010-2013.
“Barcelona është testi final i një lojtari”, ka thënë Xavi për El Pais, i cili tani luan për Al Sadd në Katar.
“Madridi nuk luan bukur. Në ‘Bernabeu’ e shohin si të arsyeshme nëse një mbrojtës e hedh topin në tribuna. Kjo është kultura e tyre. Adhuruesit e duartrokasin. Por, në ‘Camp Nou’, nëse e godet topin drejt tribunave, murmuritjet janë shumë të zëshme; është diçka negative. Dhe kjo që prej kohës së Johan Cruyff”, ka thënë ai.
“Madridi i Mourinhos luante me topa të lartë. Mourinho u thoshe lojtarëve të mos e ndalnin topin kurrë, të luanin shpejt dhe pastaj Di Maria, Cristiano apo Benzema të niseshin në kundërsulme. Tani të njëjtën e bëjnë me Bale. Nuk duan të luajnë futboll”, shtoi ai.