Tani që Fredi Alizoti doli një dëshmitar i rremë dhe alibia e ngritur mbi rrëfimet e tij u shfry, në qeveri nuk ka vend për eufori. Historia është kthyer në pikën zero dhe ç’është më e keqja nuk ka më asnjë ekspertizë nga një laborator ndërkombëtar, që do të zbardhte të vërtetën. Prandaj dhe Fatmir Xhafaj, që u pyet nga gazetarët për çështjen Babalja dhe kthesat që mori kjo histori nuk dha një qëndrim të qartë.
Xhafaj u tërhoq në gjuhën e drunjtë që i imponon institucioni, duke akuzuar Partinë Demokratike e Shqipërisë se po bashkëpunon me llumin e këtij vendi.
“Kjo është një çështje që i takon drejtësisë, unë nuk kam kulturën institucionale dhe ligjore të ndërhyj por unë respektoj autoritetin e prokurorisë. Për çështjen që po përflitet mund të them se është në hetim të plotë dhe u takon atyre dhe pastaj gjykatës të japë verdiktin rreth kësaj çështjeje”.
“Përsa më përket mua, unë jam në detyrëm time që është vetëm t’i shërbej qytetarëve. Jam i fokusuar në përgjegjësitë e mia, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në këtë proces kam instrumentat e nevojshëm, një nga këto është “Forca e ligjit” dhe “Task forca” dhe partnerët gjermanë. Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër që t’i dalë në krah krimit duke sulmuar policinë dhe duke sulmuar strukturat kundër krimit, për ta baltosur punën e policisë dhe ka zgjedhur për këtë partnerët e gabuar, që janë llumi i këtij vendi”, ishte përgjigjja që dha Xhafaj për gazetarët.
Para se të dilte video-përgjimi në Opinion, Fredi Alizoti, që sot Xhafaj e quan “llumin e shoqërisë”, ishte dëshmitari kryesor i prokurorisë, mbi të cilin u ngrit akuza kundër Albert Veliut dhe gazetarit Jetmir Olldashi.
Ndërkohë pas daljes së përgjimit mes Babales dhe personit që pretendohet se është Agron Xhafaj, Ministri i Brendshëm nuk kishte asnjë problem me distancën që i imponon institucioni për të mbajtur një qëndrim në këtë çështje. Lexoni më poshtë çfarë thoshte kur plasi skandali i përgjimit të të vëllait.
“Është komplet një shpifje dhe mashtrim ajo që thuhet. Marr të gjitha përgjegjësitë morale dhe ligjore nëse ka qoftë edhe një grimcë me këto akuza. Prej vitit 2002 vëllai im ka jetuar në Shqipëri dhe është një prej qytetarëve që nuk ka pasur asnjë lloj problemi me ligjin, asnjë problem ligjor. E verifikuar kjo zyrtarisht në institucionet ligjzbatuse të shtetit, si për këto vite që jam ministër ashtu edhe në referim të arkivave të këtij shteti që kur është person madhor”.