Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri është deklaruar për incidentin e mbrëmshëm që ndodhi gjatë procesit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në nëndegën “Dardania”, i cili raportohet se përfundoi me një përleshje verbale.
Tahiri që vjen nga radhët e LDK-së, i cili është në garë për kryetarin e degës së kësaj partie në Komunën e Vushtrrisë, përmes Facebook ka mohuar të jetë i përfshirë në incidentin e mbrëmshëm, ndërsa këtë e quajti tendencioze.
Ky është postimi i tij i plotë:
”Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, anëtarë të LDK-së,
Raportimet e portaleve që unë jam i përfshirë në cfardo forme në incidentin e raportuar gjatë procesit zgjedhor në degën e LDK-së në Vushtrri janë lajme të rrejshme që nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin madje mund të quhen tendencioze.
Në nëndegën prej nga e kam bazën deleguese ende nuk janë mbajtur zgjedhjet, rrjedhimisht unë ende nuk jam delegat i Kuvendit të Degës dhe sipas Statutit të LDK, kandidatura për kryetar të degës shpallet në Kuvendin e Degës pasi të jetë marrë mandati nga baza deleguese. Unë e respektojë në plotni Statutin dhe rregullat zgjedhore të LDK-së.
Organizimi dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor sipas Statutit të LDK është përgjegjësi e Kryetarit dhe Kryesisë së Degës.
Si kryetar i Komunës, si anëtar i LDK-së, bëjë apel tek të gjithë anëtarët e LDK-së që në procesin zgjedhor të respektohet Statuti dhe Rregullorja zgjedhore e LDK-së. Askush mbi ligjin!
LDK është shtëpia jonë, besë e shpresë për qytetarët e Kosovës dhe amanet i Presidentit Rugova andaj procesi zgjedhor duhet të kaloj në frymën e solidaritetit dhe në frymën e bashkëpunimit që LDK e ka kultivuar për tri dekada.
Asgje nuk duan më shumë kundërshtarët tanë politik se një LDK të përqarë e të dobësuar e humbëse në Vushtrri, e në gjithë Kosovën, e ju sigurojë që unë dhe bashkëpunëtorët e mi, me të gjitha kapacitete e tona, si deri më tani, do të punojmë që LDK të jetë e bashkuar dhe përherë fituese këtu në Vushtrri dhe në tërë Kosovën, pavarësisht pozicionit brenda subjektit tone politik”.