Numri një i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka marrë mbështetjen maksimale të ShBA-së, BE-së, Shqipërisë e Kosovës… Ai shton se pala tjetër duhet ta pranojë realitetin e shumicës së krijuar parlamentare, derisa pohon se do të jetë kryetar i të gjithëve, edhe i atyre që nuk e votuan.
Për dhunën në Kuvend, natën e 27 prillit, ai thotë se është shembull i paparë në botën demokratike.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pas takimit që pati dje me diplomatin amerikan, Hoyt Brian Yee, e ka informuar ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit mbi situatën aktuale në vend dhe ka marrë mbështetje maksimale nga ai dhe ShBA-ja si kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë. Gjithashtu, ai theksoi se do të jetë kryetar i të gjithëve, edhe i atyre që nuk e votuan apo nuk e njohin si kryetar të Kuvendit.
“Pas ndodhive të padëshiruara në hapësirat e Parlamentit, në cilësi të kryetarit të Parlamentit iu drejtohem për të njoftuar për takimin e frytshëm me z. Ji, ku u rikonfirmua mbështetja e zgjedhjes si kryeparlamentar dhe të këmbejmë mendimet rreth nevojës për angazhim gjithëpërfshirës që të mund të rikthehet funksionaliteti i Parlamentit konform përcaktimeve të rregullores së punës”, ka thënë Xhaferi.
Madje, Xhaferi në deklaratën për albinfo.ch ka thënë se do t’i vijojnë procedurat e tjera përkatëse pas zgjedhjes së tij në karrigen e njeriut të parë të Dhomës legjislative. Ai me këtë rast shton se do të bëjnë të gjitha veprimet institucionale që janë në përputhje me ligjet e vendit. “Unë mendoj se akti i zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit është pikënisja e daljes nga kjo krizë e stërzgjatur. Mendoj se me veprimet në vazhdim ne do bëjmë përpjekje që të anashkalohet pezullimi i punës së institucioneve”, thekson kryeparlamentari Xhaferi, shqiptari që për herë të parë drejton këtë institucion të rëndësishëm.
“Në fakt, shumica parlamentare ka kërkuar që të vazhdojnë punimet e seancës, por fakti që rezulton me zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe duke pasur parasysh dëmet që janë krijuar brenda Parlamentit mendoj që nuk ka ambient që të vazhdohet puna, duhet të riparohen dëmet dhe besoj që pas festave Parlamenti të fillojë të funksionojë”, shton Xhaferi.
“Për dhunën në Kuvend, natën e 27 prillit ai thotë se është shembull i paparë në botën demokratike. “Shpresoj se qytetarët dhe subjektet politike ta kuptojnë situatën e krijuar, ndërsa shpreh falënderim publik ndaj shumicës së qytetarëve, sidomos atyre shqiptarë që nuk ranë pre e saj dhe nuk u bënë alibi për qëllimet e Ivanovit në veçanti”, vijon Xhaferi.
-Çfarë pritni nga pala tjetër, a mund të kemi një spirale të re të dhunës, ndërsa edhe paraardhësi juaj, Veljanovski, thotë se nuk ju njeh si kryetar të Parlamentit?
“Unë pres nga pala tjetër të reflektojë për situatën e krijuar, të pranojë realitetin e shumicës së re parlamentare, edhe pse është çështje e vendimeve të tyre partiake dhe nuk ngarkohem me atë punë”, thekson Xhaferi.
Sipas tij, madje pak rëndësi ka se ç’mendon paraardhësi i tij, Trajko Veljanovski, i cili thotë se nuk e njeh atë si kryetar, ndërkohë që mbështetja ndaj tij ka ardhur nga të gjitha organizmat relevante, si SHBA, Bashkimi Evropian, po edhe nga të gjitha shtetet demokratike. Xhaferi mori telefonata edhe nga homologu i tij kosovar, Kadri Veseli, po edhe nga Ilir Meta, kryetar i deridjeshëm i Parlamentit shqiptar, tani president.
Xhaferi thotë se natën e parë gjatë evakuimit bashkë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, kanë vizituar liderin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili pësoi lëndime më serioze gjatë sulmit të huliganëve maqedonas.
“Atë moment që jemi evakuuar natën e parë, kam qenë bashkë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, ai pastaj është transferuar në Tetovë, ku gjendja është stabile dhe kurohet mirë dhe shpejt do të dalë nga spitali”, thekson ai.
-Si ishte ndjenja me të marrë detyrën e re si kryetar i Parlamentit, kur opinionit iu drejtuat edhe në shqip?
“Në jetën time kam kaluar shumë sfida të ngjashme, ndjenjat nuk mund të jenë të pandikuara dhe patëm parashikim, por jorastësisht kanë qenë veprimet e grupit parlamentar në atë formë si kemi vepruar me grupet e tjera parlamentare dhe të vetëdijshëm për situatën, duke qenë që jam bartës i rrethanave, ku tani duhet të reflektojmë qetësi dhe guxim”.
Ai tani për tani nuk mund të prejudikojë se sa janë dëmet në Parlament nga dhuna e ushtruar e huliganëve dhe pret që organet përkatëse të bëjnë vlerësimin dhe të dalin me versionin zyrtar.