Xhaka: Nuk largohem nga Arsenali pa fituar diçka speciale këtu

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Granit Xhaka është i vendosur të qëndrojë në Arsenal.

Futbollisti kosovar e ka dhënë një intervistë për “Players’ Tribune Football”, ku i ka shpalosur planet e tij për të ardhmen, përcjell “Gazeta Express”.

Përfaqësuesi zviceran në fakt ka thënë se ndihet mirë në Londër dhe se e ka ndërmend të qëndrojë aty derisa të arrijë ta fitojë ndonjë trofe me “Gunners”.

“Pas këtij sezoni, i kam edhe dy vjet të tjerë kontratë këtu. Do të jap gjithçka derisa të jem në këtë klub. Gjithmonë e them këtë. Unë e nënshkrova kontratën e re për ta shijuar kohën time këtu dhe kjo është kjo. Unë dua të arrij diçka me këtë klub, diçka speciale. Dhe, pa e arritur këtë, nuk do ta bëj (largohem)”, deklaroi fillimisht Xhaka në pjesën e shkurtër të intervistës, e cila shumë shpejt do të publikohet edhe e zgjeruar dhe komplete.

Tutje, ish-futbollisti i Baselit dhe Borussia Monchengladbachut ka folur edhe për raportin që e ka me tifozët dhe me vështirësitë nëpër të cilat kalojnë futbollistët, e të cilat nuk vërehen nga tifozët.

“Unë dua të kem marrëdhënie sa më të mirë me njerëzit nga jashtë, me tifozët, të jem afër me ta. Ne nuk i takojmë kurrë ata, nuk kemi kurrë bisedime me ta. Ata vetëm na shohin në fushë, për 90 minuta dhe lamtumirë. Ata nuk e dinë se si ushtrojmë më parë. Ata nuk e dinë se si ndihesh, nuk e dinë këtë. Nëse e ke ndonjë problem në familje, as këtë s’e dinë, shumë detaje s’i dinë”, përfundoi Xhaka. 

Të ngjashme