Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot pasdite për të votuar kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë procesit të votimit, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti është përplasur me deputetin e LDK-së, Arben Gashi.
Ishte nënkryetari Xhavit Haliti ai i cili pasi që mbushi fletën e votimit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e goditi me bërryl deputetin Gashi, derisa po kalonte, sikur shihet dhe në videon e Ekonomia Online.
Pas kësaj deputeti Gani Dreshaj doli në anën e Xhavit Halitit duke dashur të sulmojë fizikisht Arben Gashin.
Përplasja e sotme fizike pason përplasjen verbale dhe fyerjet që Haliti e Gashi patën në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.
Pasi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nuk ia dha fjalën Gashit të LDK-së, ky u qua në këmbë nga ulësja e tij dhe e fyeu Halitin, i cili po e udhëhiqte seancën.
“Balosh ama fjalën”, “mashtrues”, “shko në rrotë të samës” etj., ishin disa nga fyerjet që lëshoi Gashi. Ndërsa Haliti ia ktheu me fjalët: “qen bir qeni”.
Pas kësaj kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka lutur të gjithë deputetët që të koncetrohen në procesin e votimit.
“Ju respektoj shumë të gjithë por ju kisha lutur të gjithë për hir të familjeve dhe sakrificës që të ndalen sjelljet e pahijshme në Kuvend”, ka thënë Veseli.