Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vuri gurin themeltar të ndërtesës së Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të Çerdhes së fëmijëve në qytetin e Prizrenit.
Në këtë ceremoni, pos zyrtarëve qeveritar e komunal, nxënësve dhe arsimtarëve të nivelit parafillor, ishin të pranishëm edhe zëvendësministrat: Heset Sahiti (MASHT), Sami Hajdaraj, Bujar Nerjovaj (MAP) dhe kryetari i komunës së Prizrenit MytaherHaskukaj.
Në fjalën e rastit, ministri Yagcilar, duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi se, në komunën e Prizrenit po vihen gurthemelet e dy ndërtesave të rëndësishme shkollore: ndërtesës së Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të Çerdhes së fëmijëve, që përbëjnë një ndihmesë të madhe për arsimin e kësaj komuna dhe të komunave për rreth.
Këto projekte kapitale të arsimit, do t’i menaxhojë e financojë Ministria e Administratës Publike nga buxheti i saj. Bëhet fjalë për ndërtesën e Shkollës së Muzikës, me një sipërfaqe 6158.52 metra katrorë, ndërtimi i së cilës do të kushtojë 1,847.264.45 euro. Për ndërtimin e kësaj ndërtese është angazhuar Operatori Ekonomik Standard Plu-Malishevë&ISARS Prishtinë. Ndërsa, për ndërtimin e Çerdhes, me sipërfaqe 2000 metra katrore janë paraparë 727,272.72 euro.
Punimet do t’i kryejë operatori ekonomik NNP.CONSTRUMAX&NNP.EBK nga Suhareka. Të dy ndërtesat duhet të jenë të gatshme për përdorim brenda 36, përkatësisht 37 muajsh. Këto ndërtesa , tha ministri Yagcilar, do të krijojnë kushte të mira për punë cilësore në arsimimin e gjeneratave të reja.
Për rëndësinë e këtyre ndërtesave shkollore për komunën e Prizrenit dhe të rrethinës folën edhe Heset Sahiti, zëvendësministër në MASHT dhe MytaherHaskukaj, kryetar i komunës së Prizrenit.