Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar kontratën e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me Maqedoninë e Veriut për shitjen e energjisë elektrike.
Ymeri, përmes një reagimi në Facebook, ka deklaruar se vlera prej 73 milionë eurosh e përfituar nga kjo kontratë për një periudhë trevjeçare, sipas saj, shpenzohet nga qytetarët për import të energjisë elektrike brenda vetëm tre deri në katër muaj.
“Vlera e fituar nga kontrata e KEK me Maqedoninë e Veriut për 3 vjet kohë, harxhohet përafërsisht për 3-4 muaj nga xhepat tanë në import të rrymës”, ka shkruar Ymeri.
Ajo e ka përdorur këtë krahasim për të kritikuar politikat e Qeverisë në sektorin energjetik.
“3 vjet kontratë për para që harxhohen për 3 muaj. Qe sa është profitabiliteti i kësaj kontrate. Qe sa i intereson VV për ne si qytetarë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Ymeri ka përfunduar reagimin duke theksuar se 73 milionë euro janë një shumë e madhe për qytetarët.
“Kaq pak po vlejnë, 73 milionë Euro të varfërisë sonë”, ka shkruar ajo.
Ymeri më herët ka kritikuar edhe importin e energjisë dhe ka kërkuar rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit, përfshirë investimet në burime të ripërtëritshme.