Kryetari Visar Ymeri nga tubimi i Vetëvendosje-s në Shterpcë tha se me 12 qershor po bëhen 18 vite që kur Kosova është çliruar nga Serbia, por gjendja në këtë komunë mbetet e rëndë.
“Pra kemi sot vendbanime në Kosovë ku situata është si para vitit 1998. Dhe kjo është pasojë e këtij pushteti që qeverisë gjithë këto vite”, tha Visar Ymeri.
“Strukturat paralele të Serbisë kanë pushtetin real, mbajnë flamurin e Serbisë këtu. Çka është e çuditshme në këtë mes është, jo se si veprojnë strukturat paralele, por struktura e policisë këtu. Policia punon për përndjekjen e aktivistëve kundër pushtetit dhe për dëbimin e veprimtarëve nga Shqipëria, kuse nu merret fare me strukturat paralele”, theksoi po ashtu Ymeri.
Ai shtoi se Vetëvendosje është gati për të qeverisur.
“Shpesh po na pyesin qytetarët a jeni gati për me qeverisë. Vetëvendosje ka qenë e vetmja që ka qenë gati për një kohë të gjatë”, tha Ymeri para qytetarëve të Shterpcës.
Për partitë e tjera, kryetari i VV-së tha se nuk kanë program, kurse për Haradinajn e Hotin tha se vetëm duan të bëhen kryeministra. Ai tha se plani i tyre ka vetëm korrupsionin e krimin, kurse VV ka alternativën.
Në fund ai numëroi 40 prioritetet e Lëvizjes dhe bëri thirrje që me 11 qershor të votohet numri 35, të votohet Lëvizja Vetëvendosje.
Haxhiu në Shterpcë: Edhe 9 ditë Kosovës i kthehet dinjiteti
Në tubimin e parë të ditës së tretë të fushatës, në komunën e Shterpcës, ish-deputetja dhe kandidatja për deputete Albulena Haxhiu, tha se me 11 qershor qytetarët do të ndëshkojnë ata që bën pazare me Republikën. “11 qershori do të jetë dita kur qytetarët e Kosovës do t’i ndëshkojnë zhvatësit e matrapazët, servilët e tradhtarët”, tha Albulena Haxhiu para qytetarëve të Shterpcës.
Ajo më tej shtoi se Vetëvendosje garanton qeverisje për zhvillim ekonomik, mirëqenie e barazi. Si dhe përmendi disa nga prioritetet kryesore, me theks të veçantë strehimin për ata që nuk kanë kulm mbi kokë dhe shtesat për fëmijë “Me qeverisjen e Vetëvendosjes do të zhbëhen marrëveshjet që cenojnë integritetin e Republikës”, tha po ashtu Albulena Haxhiu.
Në fund të fjalës së saj, ajo përmendi edhe mungesën e drejtësisë, duke kujtuar vdekjen e Astrit Deharit dhe mbajtjen në arrest të 4 aktivistëve të tjerë. Me këtë rast, ajo premtoi se me qeverisjen e Vetëvendosjes nuk do të ketë hakmarrje, por drejtësi.
“Kanë mbetur 9 ditë nga dita e zgjedhjeve, kanë mbetur 9 ditë kur Kosovës i kthehet dinjiteti”, përfundoi fjalën e saj, duke bërë thirrje që me 11 qershor të mbështet ndryshimi i madh.