Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pas deklaratave të tij në emisionin “Debat Plus”, raporton Ekonomia Online.
Ymeri ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë biznes apo lidhje me kompani që merren me shitblerjen e energjisë, ndërsa ka akuzuar drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje për lidhje me atë që ajo e quan “mafi energjetike”.
Ajo tha se në lidhje me deklaratat e Konjufcës dëshiron të sqarojë se nuk ka pasur asnjëherë lidhje me biznese të energjisë.
“Në lidhje me shpifjen e Glauk Konjufces në Debat Plus mbrëmë, dua të theksoj se unë Janina Ymeri, nuk kam pasur kurrë dhe nuk kam asnjë biznes, ose lidhje me ndonjë biznes qe merret me shitje dhe blerjen e energjisë”, tha Ymeri.
Ajo paralajmëroi se të hënën do ta padisë Konjufcën për shpifje.
“Meqë Glauk Konjufca është i moshës së rritur dhe ka gënjyer publikisht, jo me larg se të hënën do ta padis për shpifje sepse sot është e shtunë”, tha ajo.
Ymeri akuzoi Konjufcën dhe zyrtarë të tjerë të VV-së për lidhje me “mafinë energjetike”.
“Unë e kuptoj Glauk Konjufcen qe është në zor te madh se është direkt i përfshirë në kontaktet me mafinë energjetike (shih fotografitë me Martin Berishajn) dhe potencialisht i përfshirë edhe në shpëlarje te pareve me të cilat është financuar Vetëvendosja para dhe gjate fushatës se vitit 2021”, tha ajo.
Sipas saj, përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Megjithatë, ne këtë mesele, argati kryesor dhe kukulla e mafisë energjetike është Albin Kurti e Glaku e Nagipi me shoke janë mish për top”, tha Ymeri.
Ajo tha se përballjet ligjore me institucionet dhe çështjet që lidhen me energjinë kanë nisur tash e një vit.
“Sa për beteja ligjore, kanë këto kanë nis që 1 vit, prej kur kam dërguar kërkesë për hetime në Prokurori Speciale, e që ka pasuar me padi për mua nga KEK, e rrëzuar sigurisht dhe tani kjo shpifje që do e padis”, tha ajo.
Në fund, Ymeri tha se do të vazhdojë t’i denoncojë, sipas saj, lidhjet e VV-së me “mafinë energjetike”.
“Me këto ngjarje, duhet ta di Kurti dhe gjithë VV se nuk do lë rast për t’i demaskuar e për ta luftuar përfshirjen e tyre në paratë e mafisë energjetike por edhe vet mafinë energjetike”, tha Ymeri.