Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në Kuvendin e Kosovës ka diskutuar për dy ngjarjet e fundit që lidhen me telefoninë.
“Në harkun kohor të një jave i patëm dy rezultate njërin më katastrofik se tjetrin. E kam fjalën për licencimin e paligjshëm të Telekomit shtetëror të Serbisë brenda Kosovës dhe zhvatjen e 30 milionë eurove në arbitrazh nga Kompania Dardafone.net e njohur në treg si Z-mobile. Secili nga rezultatet e kanë fill shumë më herët se tash. Por me të dyja këto procese lidhet padyshim Hashim Thaçi dhe klani Pronto i PDK-së”, ka thënë Ymeri.
Sipas Ymerit, prej shpalljes së pavarësisë (madje dhe më herët) në vend se të mbylleshin operatorët ilegal të Serbisë në Kosovë, dhe të aplikohej rezoluta e Kuvendit për aplikimin e kodit +355 në Kosovë, kjo çështje u fut në negociata me Serbinë.
“E kur negocion sektorë të kësaj rëndësie strategjike për sovranitetin e ekonominë e vend natyrisht që në fund përfundon duke zyrtarizuar kompaninë famëkeqe të Serbisë në Kosovë dhe merr një kod gjeografik duke e futur telekomunikacionin e Kosovës nën atë të Serbisë”, ka thënë ai.
“Historia e kontratës kriminale të bërë midis PTK-së dhe Dardafon.net është diskutuar dhe në këtë Kuvend, e atë botë ministri Shala, ose personazhi që i realizoi Hashim Thaçit gjithë punët e pista në ekonomi, deklaronte se gjithçka është bërë sipas ligjit, ani pse Dardafon, një kompani private do të përdorte të gjithë infrastrukturën e entit publik dhe do të merrte 73% të fitimit kundrejt 27 % që i lihej PTK-së.
“Për këtë kontratë të dëmshme, u patën hapur dhe hetime të bujshme që u mbyllën në heshtje nga EULEX. Teksa çdokush me mendje normale do të priste përfundimin apo rinegociimin me themel të kësaj kontrate skandaloze, ndodh krejt e kundërta. Sajohen precedentë të mosrespektimit të kontratës që duhej të hetohej, dhe ndërtohet një rast kundër kompanisë publike në arbitrazh. Rasti i cili rezultoi me një gjobë 30 milionëshe kundrejt PTK-së e si fitim për një kompani private. Vetëm që ta kemi parasysh një ministër tjetër i punëve të pista të Hashim Thaçit dhe PDK-së Besim Beqaj e pati shitur gjithë rrjetin tonë të shpërndarjes së energjisë për 26 milionë euro . S’është çudi që në këto kohë të fundit të pushtetit që iu ka mbetur ta dërgojnë dhe KEK-un në ndonjë arbitrazh e t’i nxjerrin paratë e privatizimit dhe të tjerat”, ka thënë Ymeri.
Secila prej këtyre, sipas Ymerit, e plot të tjera pas jo shumë kohëve do të jenë objekt i hetimit të detajuar.
“Paratë që i keni zhvatur këtij vendi me kontrata të këtij lloji apo me marrëveshje me partnerët tuaj në Serbi, jo vetëm që s’do t’i gëzoni po do të detyroheni t’i ktheni shumëfish”.