Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri gjatë prezantimit të programit qeverisës tha se 40 pikat e përpiluara nga “ekspertë” paraqesin ndryshimin e domosdoshëm për Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Rritja ekonomike nëse nuk është përmirësim i qytetarëve bëhet e dëmshme. Një republikë që s’ështe e zhvilluar ekonomikisht nuk mund të jetë as sovrane. Këto 40 pika i faktorizojnë shqiptarët sepse e përafrojnë Kosovën me Shqipërinë dhe bashkëpunimin. Nuk mund të zhvillohet ekonomia që bëhen ad hoc deri sot vendimet që i kemi parë kanë qenë pa plan dhe të pamenduara e më shumë të dëmshme”, tha ai.
Sipas tij zhvillimi ekonomik ndodh vetëm atëherë kur mobilizohen të gjitha resurset, ato natyrore, financiare e kadrovike.
”Ky është modeli dhe reforma më e rëndësishme që do ta bëjë VV në krye me Albin Kurtin kryeministër”, ka thënë ai.
Sipas tij deri sot kanë parë anarki në qeverisje, ndërsa me VV-në do të ketë organizim shtetërore sepse konsideron se pa këtë s’mund të ketë as zhvillim e as “republikë të fuqishme”.
Ai ka thënë se me VV-në sistemi energjetik do të pavarësohet nga Serbia dhe do të bashkohet me atë të Shqipërisë.
Kurse për tokat bujqësore ka thënë se në shumicën e rasteve nuk punohen sepse shpesh herë bujqit nuk kanë leverdi ta punojnë për shkak të politikave fiskale.
“Ne do ta mbështesim bujqësinë dhe e kemi plan të detajuar. Pra një nga prioritet tona është sistemi i ujitjes. Po ashtu edhe për qytetarët është e nevojshme uji i pijshëm. Ne do ti rrisim subvencionet dhe grantet në bujqësi. Kjo do të paraprihet nga rritja e buxhetit në të. Synojmë ta rrisim buxheti deri në 240 milionë për zhvillim dhe bujqësi”, ka thënë Ymeri.
Kurse sa i përket prodhimeve vendore ka thënë se qasja në tregje është e domosdoshme dhe VV do t’i siguron këtyre prodhimeve qasje në treg.