Viti i Ri solli optimizëm të ri në Shkup dhe në Athinë se viti 2018 do të sjellë hap pozitiv përpara në tejkalimin e kontestit disavjeçar për emrin.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se marrëdhëniet miqësore që krijohen me Greqinë fqinje janë në favor, gjegjësisht krijojnë rrethana të volitshme për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit.
“Republika e Maqedonisë është e vendosur që në gjysmëvjetorin e parë në mënyrë thelbësore, të mirëfilltë t’i rreket zgjidhjes së problemit që Greqia ka me emrin tonë kushtetues. Jam i bindur se është e mundur të gjendet zgjidhje. Gjithsesi se për këtë nevojitet gatishmëri edhe e palës tjetër. Mua më vjen mirë që edhe tek pala tjetër ekziston optimizëm”, deklaroi Zaev.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras në intervistën për radion greke porositi se është optimist për zgjidhjen e kontestit, por njëherësh pret hapa konkrete nga pala maqedonase.
Ai bëri të ditur se në politikën e jashtme nevojiten vepra, e jo vetëm fjalë, shkruan Alsat M.
“Jam optimist se mund ta menaxhojmë në mënyrë efikase dhe të përgjegjshme çështjen që e trashëguam nga qeveritë paraprake. Përderisa nga pala tjetër vërtetë ekziston dëshirë për t’u bërë hapa, atëherë mbetet që ta shohim këtë. Por, besoj se mund të bëhen hapa drejt daljes nga kjo situatë pa rrugëdalje”, tha kryeministri i Maqedonisë.
Gazeta greke “Katimerini” botoi një analizë në të cilën thuhet se në gjashtë muajt e fundit është vendosur një nivel i lartë i komunikimit mes Athinës dhe Shkupit.
Në tekst thuhet se pritet intensifikim i presioneve ndërkombëtare edhe nga SHBA-ja edhe nga Evropa, me qëllim që të zhbllokohen integrimet euroatlantike të vendit.
Përmenden edhe disa variante të mundshme për përcaktimin që do ta përmbante emrin e shtetit, si Maqedonia e Re, Maqedonia e Veriut apo Maqedonia e Epërme, por nuk përjashtohet mundësia që ndërmjetësuesi Nimic të dalë edhe me propozim krejtësisht të ri.