Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot deklaroi se do të bëjë gjithçka që të sigurojë shumicë prej dy të tretash për mbështetjen e amendamenteve kushtetuese, për të cilat është caktuar seancë plenare për më 9 janar.
Zaevi, siç theksoi, është optimist për mbështetjen e këtij procesi, numri i deputetëve që do ta mbështesin do të dihet gjatë votimit.
“Me siguri, siç është ambienti në Maqedoni, dhe siç zhvillohen praktikisht ndryshimet kushtetuese, përmes dorëzimit të amendamenteve kushtetuese, në aktin e votimit do ta dimë numrin përfundimtar. Seanca është caktuar për më 9 janar, debati zgjat jo më shumë se 10 ditë dhe siç është paralajmëruar mospjesëmarrja e opozitës, e kryesuar nga VMRO-DPMNE, me siguri nuk do të zgjasë më shumë se dy-tri ditë. Nuk e di sa. Aq sa deputetët do të vlerësojnë, ndërsa akti i votimit do të jetë rezultat i vetë debatit, amendamenteve dhe sa janë të kënaqur deputetët të cilët kanë dorëzuar amendamente si rezultatet i besimit të përgjithshëm, sepse këtë proces duhet ta sigurojmë”, deklaroi Zaevi duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për pritjet në ekonomi gjatë vitit të ri.
“Do të bëj gjithçka deri në momentin e fundit që të siguroj shumicë prej dy të tretash dhe këtë do ta bëjmë publike në momentin e votimit, ose do ta ndajmë kënaqësinë nga ajo që është arritur ose do ta mbajmë përgjegjësinë për tërë fokusin që e kemi bërë në integrimet”, shtoi Zaevi, duke potencuar se është optimist para se gjithash, për shkak të përgjegjësisë së të gjithë deputetëve dhe pushtetit ekzekutiv, se ka mundësi të shkëlqyera që procesi të përfundojë me sukses.
Siç informoi kryeministri, gjatë ditëve në vijim vazhdojnë bisedimet me partitë politike, përfshirë edhe me Lëvizjen Besa të Bilal Kasamit dhe Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës.
“Do të bisedojmë për gjithçka që ai vlerëson se duhet të bisedojmë, por mua më vjen mirë që eurointegrimet janë prioritet i Besës dhe Aleancës për Shqiptarët prej të cilëve si mbështetës të padyshimtë të proceseve integruese të Maqedonisë pres seriozitet dhe përgjegjësi”, tha Zaevi.
Besoj, tha ai, se do të kemi sukses në Parlament më së voni deri nga mesi i janarit.
“Kjo varet prej secilit deputet veçmas. Dua numër më të madh se 80, besoj se është e mundur, e di në thelb çfarë mendojnë deputetët, përfshirë edhe opozitën e vendit. E di, por politika e shkretë. Gjithashtu besoj në fjalën e mikut tim, kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras, se do të mundësojë shumicën parlamentare që është e nevojshme sipas ligjit të tyre dhe Kushtetutës që të ratifikohet Marrëveshja e Prespës”, tha Zaevi.
Pritjet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg janë që në fund të shkurtit të ketë ratifikim të parë të protokollit për anëtarësim në Greqi, ndërsa Zaevi beson se kjo do të ndodhë edhe më herët.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Zaevi përsëriti se mbetet në qëndrimin që të mos mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se aktiviteti i tillë do t’i merrte ekonomisë mes katër dhe shtatë muaj. Debat për një gjë të tillë LSDM-ja do të hapë në fund të këtij muaji.
Letra që atij dhe Ciprasti ua ka dërguar Stoltenbergu, siç tha Zaevi, ka qenë inkurajim me të cilin sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka dashur ta theksojë vlerën e Marrëveshjes së Prespës për Maqedoninë dhe Greqinë.