Propozimi “Republika Ilinditase e Maqedonisë” në Maqedoni nuk bie poshtë, deklaroi kryeministri Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve sot para Gjykatës Penale.
Ky propozim, sipas tij është i vlefshëm dhe është për mendim të thellë, për shkak se i plotëson pritjet e shumicës së qytetarëve të dy vendeve.
“Republika Ilinditase e Maqedonisë, është emër që nuk e rrezikon, por përkundrazi e përforcon identitetin e Maqedonisë, ndërsa Greqisë i jep emër të ndërlikuar me përcaktim kohor”, tha Zaev.
Theksoi se ai dhe kryeministri grek Cipras besojnë tërësisht në këto zgjidhje dhe se këta të dy janë vetëm një nga hallkat në gjithë këtë proces.
“Ne jemi Zoran dhe Aleksis dhe ne jemi ftuar si kryetarë të qeverive që t’i sjellim proceset. E dini se që në momentin e parë kemi thënë se ekziston opsion që mund të jetë i pranueshëm për dy palët, e kjo do të thotë që të shihet si strukturat politike dhe institucionet në vend qëndrojnë…. Ka procese institucionale në marrjen e vendimeve. Tek ata kjo është Parlamenti përmes ratifikimit të marrëveshjes eventuale për zgjidhjen, ndërsa tek ne janë edhe Parlamenti edhe qytetarët përmes referendumit dhe ndryshimeve eventuale kushtetuese që do të ndodhnin sepse në pyetje është një pako”, theksoi Zaev.
Sipas kryeministrit, Ilinden është është kryengritja jonë e Ilindenit në vitin 1903 dhe 1944 nuk kanë kurrfarë pretendimet territoriale dhe nuk rrezikohet asgjë nga ana e Greqisë.
“Për ne është me rëndësi që nuk prek në identitetin tonë, përkundrazi e përforcon, e ruan dinjitetin tonë dhe i arrijmë kushtet të cilat për ne janë të rëndësishme, ndërsa gjithashtu pala greke merr emër të ri – të ndërlikuar, merr përcaktim dhe ndryshime kushtetuese”, tha Zaev.
Ai shprehu bindje se bisedimet do të vazhdojnë dhe duhet t’i jepet shans këtij propozimi, i cili, siç shtoi, beson se është zgjidhje për kontestin 25 vjeçar.
“Flasim për pako, e jo për pjesë vetanake. Nuk mund të pritet ndryshim kushtetues në Maqedoni për çfarëdo qoftë zgjidhje, për këtë pranuam ne ndryshim kushtetues, sepse është zgjidhje që nuk na nënçmon. Do ta ruajmë dinjitetin tonë, e pastaj çështjet e identitetit janë fiksuar, e me këtë rast i plotësojmë edhe kushtet e tyre”, theksoi kryeministri Zaev para Gjykatës Penale.
Zaev theksoi se mbledhja në Nju-Jork më 24 dhe 25 mes ministrave të punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë dhe Methju Nimic është caktuar më parë dhe shprehu bindje se zgjidhja mund të gjendet.