Kandidati i Nismës për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij të katërvjeçare, Prizreni do ta marrë pamjen e një metropoli të huaj.
Berisha ka thënë se Prizreni mburret me diversitetin etnik e kulturor dhe i ka ftuar të gjitha komunitetet që “të jenë pjesë e karvanit të ndryshimeve”.
Në tubimin zgjedhor të Nismës për Kosovën në lagjen “Kurillë” të Prizrenit, ku merrte pjesë dhe lideri i partisë Fatmir Limaj, u prezantuan dhe kandidatët për Kuvend Komunal nga kjo lagje.
Mes tjerash, kandidati i Nismës ka premtuar funksionalizimin e dy zonave ekonomike, kthimin e zonave të uzurpuara te qytetarët dhe sjelljen e investitorëve ndërkombëtarë dhe kombëtarë.
“Prizreni në hyrjen e saj do të jetë si një metropol i huaj. Gjatë mandatit, dy zonat ekonomike do të funksionalizohen do të vendosen investitorë të huaj që të ndryshojmë gjendjen ekonomike në Prizren”.
“Një jetë të tërë ia kam kushtuar këtij vendi dhe dëshiroj me ua kthy qytetarëve të Prizrenit. Nuk dua që puna e qytetarëve të Prizrenit të nëpërkëmbet; nuk dua që gjaku dhe djersa e atyre qytetarëve që kanë kontribuar t’iu shkojë atyre partive që nëpërkëmbin qytetin prizrenas, në veçanti lojërat e klanit ‘Pronto’”, u shpreh Berisha.
E kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se Zafir Berisha është njeriu më i përshtatshëm dhe e ka ekipin mirë për ta udhëhequr Komunën e Prizrenit në katër vitet e ardhshme.
“Ai do t’i japë fund të keqes në Prizren dhe do t’ia kthejë qytetin prizrenasve”.
“Krejt çka ka sot qyteti i Prizrenit janë vlerat e qytetarisë, diversiteti ynë etnik e fetar. Misioni ynë është misioni i njerëzve të vjetër të Prizrenit, me zhvillu qytetin, me avansu, mos me leju me u dëmtu arkitektura jonë, rujtja e mënyrës sonë të jetesës… Ata që i keni pasur në krye nuk janë kujdesur dhe nuk e kanë plotësuar këtë qytet me shpirtin e tyre”, tha Limaj.
“Nëse votohet Zafir Berisha atëherë Prizreni do t’iu kthehet prizrenasve… Nëse nuk e jepni përkrahjen më 22 tetor, atëherë i 23-të ka me ju çel me probleme prapë, e keni me thanë çka na gjeti”.
Limaj ka ftuar të votohet Berisha dhe kandidatët e Nismës. “Jepeni votën për një Prizren të sigurt, me një hov të ri, për mirëqenie… Për ata që e kthejnë kulturën dhe aktivitetet sportive në Prizren”, ka përfunduar kreu i Nismës.