ZAP: Rishikimi i teksteve shkollore, s’arriti qëllimet e synuara – krijoi shpenzime

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 13:39 | Nga

Aktivitetet e kryera nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore, nuk kanë arritur qëllimet e synuara.

Kështu vlerëson Zyra Kombëtare e Auditimit e cila ka publikuar raportin e auditimit të performancës me titull “Procesi i rishikimit të teksteve shkollore” të iniciuar nga Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në vitin 2015 me qëllim të përmirësimit të tyre.

Përmes këtij auditimi, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar aktivitetet e ndërmarra nga MAShT-i, respektivisht Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore me qëllim të arritjes së objektivave të synuara gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore, raporton Ekonomia Online.

“Ne vlerësojmë se aktivitetet e kryera nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore, nuk kanë arritur qëllimet e synuara. Procesi i rishikimit ka rezultuar me tekste shkollore të përmirësuara në përqindje të vogla dhe përgjithësisht të natyrës teknike. Objektiva lidhur me lehtësimin e çantës shkollore nuk është prekur fare, ndërkohë që vendimi për të botuar të gjithë tirazhin e teksteve shkollore, përfshirë ato që nuk i janë nënshtruar rishikimit, ka krijuar shpenzime të mëdha e jo kursime siç ishte synuar fillimisht”, thuhet në publikimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Më tej theksohet se iniciativa për të rishikuar tekstet shkollore ishte e qëlluar dhe e domosdoshme.

“Mirëpo, ne vlerësojmë se do të duhej të lejohej më shumë kohë në dispozicion si dhe komunikim e bashkërenditje të aktiviteteve në mes të pjesëmarrësve të përfshirë në proces. Këshilli do të duhej të kishte kritere më të qarta në bazë të të cilave do kryente rishikimet si dhe duhet të ishin më të kujdesshëm në marrjen e vendimeve se cilat tekste duhet të ribotohen duke pasur parasysh përqindjen e ulët të ndryshimeve, natyrën e ndryshimeve dhe faktin se disa prej teksteve nuk ishin rishikuar fare. Gjithashtu, nuk është bërë ndonjë analizë e mirëfilltë nga Këshilli apo Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me implikimet financiare të ribotimit të teksteve shkollore”, thuhet në publikim.

“Me qëllim të krijimit të mekanizmave të duhur dhe të qëndrueshëm të rishikimit të teksteve shkollore, MAShT duhet që përmes një udhëzimi administrativ apo ndonjë rregulloreje të brendshme, të definojë qartë përgjegjësitë e të gjithë akterëve të përfshirë në proces të rishikimit si dhe të jetë transparente në emërimin e recensentëve dhe monitorimin e punës së tyre apo të çfarëdo subjekti tjetër që ka rolin e rishikimit të teksteve shkollore. Gjithashtu, Këshilli duhet të angazhojë ekspertë të fushave të ndryshme, të bëjë planifikim të arsyeshëm kohor për të finalizuar rishikimet e teksteve shkollore, dhe të ndërmerr  një analizë të duhur dhe të detajuar financiare përpara se të merret një vendim për ribotim të teksteve shkollore”, vlerëson Zyra Kombëtare e Auditimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme