Rrënojat e një anije të madhe luftarake gjermane janë gjetur në ujërat në Norvegjia afro 80 vjet pasi anija ishte fundosur në një betejë në Luftën e Dytë Botërore, shkruan agjencia Reuters.
Anija është zbuluar nga operatori norvegjez i rrjetit të energjisë Statnett dhe një arkeolog detar.
E identifikuar këtë vit nga imazhet dhe skenimet, si dhe pozicioni i armëve, anija Karlsruhe, për herë të parë ishte zbuluar në vitin 2017 vetëm 15 metra nga një kabllo nënujore e energjisë që ka funksionuar që nga viti 1977.
E ndërtuar në vitet 1920-ta, anija ka “swastikan” Naziste, ndërsa imazhet dhe videot janë bërë nga Statnett dhe janë transmetuar në televizionin norvegjez NRK.
Anija e gjatë 174 metra, ishte pjesë e forcave gjermane që pushtuan Norvegjinë në prill të vitit 1940. Anija thuhet se është goditur nga një torpedo e një nëndetëse britanike pak para se të nisej për t’u kthyer nga porti jugor norvegjez Kristiansand.
Stafi i anijes ishte evakuuar dhe anija ishte fundosur nga vet gjermanët thuhet.
“Mund ta gjeni fatin e anijes Karlsruhe në librat e historisë, por asnjëri nuk e dinte saktësisht se ku u fundos”, ka thënë arkeologu detar Frode Kvaloe.
Sulmi më 9 prill të vitit 1940, shënoi fillimin e pushimit nazistë të Norvegjisë, duke detyruar qeverinë dhe mbretin të iknin për në Britani, ku qëndruan deri në vitin 1945, kur kapitulloi Gjermania.