Komuna e Prishtinës ka përuruar pllakën Përkujtimore për nder të ish-udhëheqësit të shërbimit shëndetësor të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, doktor Gani Demollit, me të cilën ka emëruar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka thënë se emri tij dhe vepra profesionale, humane e morale e doktor Gani Demollit, do të përjetësohen tash e tutje në këtë institucion që çdo ditë jep ndihmë mjekësore e shërbime profesionale.
“Sot në këtë dite të veçantë për vet qendrën kryesore të mjekësisë familjare dhe kryeqytetin jemi mbledhur bashkë që t’i japim trajtë e kuptim përmes vënies së emrit të këtij institucioni. Dr. Gani Demolli, emri tij dhe vepra profesionale, humane e morale do të përjetësohen tash e tutje në këtë institucion që çdo ditë jep ndihmë mjekësore e shërbime profesionale janë mbi të gjitha njerëzore”, ka thënë ai
Drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se me këtë veprim po e nderojnë veprën dhe punën e atyre mijëra mjekeve, infermiereve e punëtorëve teknik që mundësuan formimin dhe zhvillimin e sistemit paralel të shëndetësisë se Republikë së Kosovës.
“Tani në shenjë vlerësimi dhe nderimit të punës dhe veprës se dr. Gani Demolli. Kemi vendosur qendra Kryesore e Mjekësia Familjarë në kryeqytet të emërohet dr. Gani Demollit. Me këtë veprim ne po nderojmë veprën dhe punën e atyre mijëra mjekeve infermiereve punëtorëve teknik shofereve pronarëve të cilët lëshuan shtëpitë e tyre dhe mundësuan formimin dhe zhvillimin e sistemit siç njihej atëherë paralel të shëndetësisë se Republikë së Kosovës. Urime 25 vjetori i shëndetësisë së kryeqytetit më të arriturat e tij dhe me projekte për zhvillimin dhe forcimin e institucioneve shëndetësore në kryeqytet”, tha Sadiku.
Ndërsa Haki Demolli falënderon kryetarin Rama dhe drejtorin për angazhimin dhe kontributin e dhënë që të merret ky vendim
“Faleminderit kryetarit Rama dhe drejtorit Izet Sadiku për angazhimin dhe kontributin e dhënë që të merret ky vendim. Po ashtu falënderoj këshilltarët e Ramës të cilën në vazhdimësi janë interesuar në këtë çështje deri sa ka ardhur ky vendim”, ka thënë ai.