Zbulohet vjedhja me shpronësim në Aeroportin e Kukësit

Prishtinë | 09 Sht 2016 | 22:57 | Nga

Në procesin e shpronësimeve për tokën e aeroportit të Kukësit, në 4 raste i është shkaktuar dëm shtetit me një vlerë prej 104 mijë eurosh.

Sipas një raporti të KLSH, në sipërfaqen prej 23 mijë e 778 metra katrorë, duke shpërblyer 4 subjekte private në vlerën e 14.3 milionë lekëve pa patur titullin e pronësisë, i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.

KLSH kreu kallëzim penal në prokurori nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për ish-regjistruesin e Zyrës Vendore të Kukesit, ish-specialistin hartograf dhe dy juristë.

KLSH beson se gjatë hetimeve të prokurorisë mund të dalin të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet korruptiv.

Nga raporti i këtij institucioni rezulton se për 11 vjet me radhë, nga shkeljet e kryera Autoriteti i Aviacionit Civil, si pronar i tokës nuk e ka kaluar pronësinë për më shumë se 331 mijë metra katrorë.

Nga auditimi del se është dhënë një sipërfaqe prej 31 mijë metrash katrorë më tepër se sipërfaqet e përcaktuara nga shteti. Ndërsa në 4 raste, ata që janë shpronësuar nuk kanë qenë pronarë të tokës.

KLSH kreu kallëzim penal për “shpërdorim të detyrës” edhe për 9 ish-punonjës dhe 5 specialistë në detyrë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive në Berat.

Pasi ka kryer një kontroll të plotë të dokumentacionit në këtë zyrë, KLSH ka dolë në përfundimin se, 14 personat e kallëzuar penalisht kanë kryer regjistrime të pasurive me sipërfaqe më të madhe nga sa ishte përcaktuar në ligj, duke lëshuar çertifikata mbi këto pasuri.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë lejuar tjetërsimin e këtyre pasurive në 20 raste dhe kanë regjistruar 43 mije e 626 metër katrorë sipërfaqe tokë arë,  pa patur aktin e marrjes së pronës. /TCH/

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme