Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) kërkon të zbatohen masat nga Pakoja Emergjente Fiskale, përfshirë edhe përkrahjen për eksportuesit.
Ministria e Financave dhe Transfereve nga Pako Emergjente Fiskale ka ndarë 10 milionë euro për ndërmarrjet eksportuese të cilat janë goditur nga pandemia.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ministria duhet të zbatoj këtë masë në mënyrë të shpejt që t’i dalë në ndihmë eksportuesve, për shkak të vështirësive në zinxhirin global të furnizimit.
“Në bashkëpunim me OEK dhe Këshillin e Investitorëve Evropian kemi kërkuar zbatimin e të gjitha masave që janë të përfshirë në pakos emergjente fiskale për mbylljen e zbatimit të tyre. Pako si e tillë është planifikuar që të ndihmojë ndërmarrjet dhe punonjësit e goditur në këtë fazë emergjente në të cilën po kalon ekonomia. Këto masa duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Zeka.
Zeka theksoi se këto ndërmarrje përveç se janë të pakta në numër, një pjesë e fabrikave janë mbyllur në tërësi dhe disa të tjera kanë reduktuar pagesat për punonjësit.
Andaj tha ai se kjo masë duhet të zbatohet në këtë periudhë, para pakos së rimëkëmbjes.
“Është masa e 13 e cila parasheh disbursimin e 10 milionë euro për ndërmarrjet eksportuese, kjo masë duhet të zbatohet tani në këtë periudhe për shkak të vështirësive në zinxhirin global të furnizimit”.
“Shumë prej këtyre tashmë janë ballafaquar edhe me rënie të kërkesës dhe më vështirësi të tjera operacionale, disa prej tyre i kanë reduktuar edhe kapacitetet e punës. Një numër i fabrikave janë mbyllur në tërësi, disa prej tyre kanë reduktuar pagesat për punonjësit e tyre”, u shpreh Zeka.
Mes tjerash, Zeka potencoi se nëse këto mjete të planifikuara nuk adresohen, rrezikohen kontratat dhe aktiviteti prodhues i ndërmarrjeve.
“Rreziku është që këto kompani të humbin kontrata të cilat i kanë ose të pushojnë në tërësi aktivitetin e tyre prodhues. Një kohë kur ne kemi një defizit të lartë tregtar dhe kemi nevojë që përpjekja e shtetit të jenë në mbështetje të tyre.10 milionë euro nuk janë shumë në mbështetje të eksportit”, tha ai.
Me tej, Zeka komentoi edhe deklaratën e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për vonesat e kompensimit të pagave si shkak i keqpërdorimeve, raporton EO.
Ai thotë se këto mjete duhet të disbursohen pasi vështirëson jetesën dhe shkak dëme në ekonomi.
“Kishim edhe njoftimin nga MF-ja që jo të gjitha mjetet e planifikuara për kompensim të pagave janë disbursuar deri me tani për shkak të keqpërdorimeve nga ana e bizneseve”.
“Ne mendojmë se është e nevojshme të disbursohen të gjitha mjetet e planifikuara, pasi një pjesë e madhe e punonjësve gjatë kësaj periudhe kanë mbetur të papunë dhe ndërprerja e të hyrave për ata e vështirëson edhe të jetuarit e tyre si dhe shkakton dëme në ekonomi në përgjithësi”, shtoi Zeka.