Në shqyrtimin e tri projektligjeve, atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në vlerën e shtuar, deputeti nga radhët e Nismas, Milaim Zeka ka thënë se TVSh-ja në kufi i ka shkatërruar bizneset në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Sipas Zekës, ATK-ja është pistë e krimit dhe e plaçkitjes së ndërmarrjeve të vogla e të mesme, raporton Ekonomia Online.
“Ajo që i ka shkatërru biznesin në Kosovë e sidomos sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që duhet të jenë fundament i ndërtimit ekonomik të Kosovës është TVSh-ja në kufi, po jo vetëm TVSh-ja që e ka shkatërru ekonominë, po tani është një kancer numër 2, rimbursimi i TVSh-së. ATK-ja e Kosovës është pistë e krimit, e plaçkitjes të ndërmarrjeve të vogla, të mesme, të vogla të gjitha ndërmarrjeve që janë në Kosovë sepse unë kam informacione prej dhjetëra biznesmenëve të cilët nuk e kanë guximin me thanë publikisht plaçkitjen që ua bën ATK-ja me rastin e rimbursimit. Në qoftë se supozojmë se duhet të rimbursohet një ndërmarrje e mesme me 1 milion euro nga TVSh-ja ata plaçkitës në ATK ju lypin deri në 20%”.
“Në qoftë se shteti i Kosovës do të lejonte vetëm diasporën e Kosovës që ta fusin kapitalin e tyre në Kosovë pa kurrfarë taksash, unë ju garantoj se Kosova do ta zhvillontë ekonominë e vet. Prandaj ajo që ne duhet të bëjmë si deputetë në bashkëveprim me Qeverinë dhe me ministrin e MF-së, që unë e përgëzoj për atë hezitimin e tij, frenimin e tij që e ka pasë edhe në rritje të rrogave, sepse është një veprim jo antikushtetues, është një veprim antiligjor i Qeverisë së Kosovës me ia rritë pagën vetes, sikurse edhe që kam dëgju, nuk e di a është e vërtetë, ka pasë edhe në Kryesinë e Kuvendit që ia kanë rritë vetes rrogat, unë po them mas pakti është vepër antiligjore sepse buxheti kalon nëpër parlamentin dhe ti mund ta devijosh një autostradë në vend se me u ndërtu për Podujevë por mund ta dërgosh në Gjilan, por brenda linjave buxhetore nuk mundesh m’i rritë rrogat e ministrave, zv.ministrave, gjykatësve, prokurorëve dhe me i kushtu buxhetit të Kosovës 15 milionë euro pa kalu ajo procedurë në parlament, sikurse nuk mundemi ne me heshtë këtu për pa shku në burg ose Lutfi Zharku për 52 milionshin e Betchel-Enkas, ose Pal Lekaj, hajdeni gjejeni kush është përgjegjës për 53 milionë që i falëm”.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, iu kundërpërgjigj Zekës duke e kundërshtuar deklaratën e tij për rritjen e rrogave të Kryesisë së Kuvendit.
“Sa për informim, ti Milaim mos ngo fjalë të sakaqeve. A Kryesia e Kuvendit nuk ia ka rritë vetit rrogat, kryesia i ka caktu rrogat në mandatin e tretë, edhe për deputetë edhe për kryesi, edeh pas mandatit të tretë, Kryesisë nuk iu ka bërë asnjë rritje përjashto rrogës së kryetarit që është rritë gjatë mandatit të katërt besoj, rroga nuk është rritë nga kryesia po nga komisioni për buxhet dhe financa, të gjithë deputetëve iu ka rritë rroga nga komisioni por anëtarëve të kryesisë jo, po duhet të them anëtarëve të kryesisë jo që ju ka rrit rroga po për asnjë mbledhje të kryesisë nuk marrin asnjë mëditje, as hiç”.