Zeka e konsideron masën e reciprocitetit ndaj Serbisë më të efektshme se taksën

Prishtinë | 21 Nën 2019 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Janë bërë një vit nga vendosja e taksës 100% ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se bilanci njëvjeçar duhet të matet në aspektin politik, se sa ekonomik.

“Nëse i kujtojmë rrethanat që bënë të vendoset taksa, atëherë kanë qenë për shkak të fushatës destruktive të Serbisë ndaj Kosovës. Aspektet ekonomike nuk kanë qenë qëllim, por kemi një moment të ri”, tha Zeka në një intervistë për RTK-në. Sipas tij Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar, megjithëse bizneset e Kosovës kanë pasur mundësi të zëvendësojnë produktet që kanë ardhur nga Serbia, për shkak të kapaciteteve të biznesit vendor.

Zeka vlerësoi se OEAK ka parashikuar se do të ketë rritje të çmimeve e që më vonë u vërtetua. Taksa nuk është që solli gjë pozitive. “Efektet kanë qenë negative, edhe thirrjet që kanë qenë të miqve tanë, kanë qenë për atë, por jemi vonë tani”, deklaroi ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka bëri me dije se OEAK është kundër tarifave. Për qeverinë e re, ai tha se po presin se cili është qëndrimit zyrtar i qeverisë së ardhshme për tarifat.

Zeka bëri me dije se rritja ekonomike do të mbetet aty, ku është parashikuar, me rreth 4.2 %. “Kosova ka vazhduar të ketë rritje ekonomike dhe është në mesin e pak shteteve që ka pasur rritje ekonomike. Norma e rritjeve të investimeve të huaja ka shkuar në rënie dhe kjo duhet të shikohet se si duhet të ndryshohet. Përjashto këtë vit, ne kemi pasur përmirësim në të bërit biznes”, tha ai.

Zeka tha se Kosova duhet të fokusohet në diplomacinë ekonomike. “Qeveria e re duhet të vazhdojë me reformat dhe të kthehemi në mesin e atyre vendeve që kanë bërë shumë reforma në ekonomi”, tha ai.

Edhe për pagat në Kosovës, ai tha se ka problem nga kompanitë e Kosovës me punëtorët. “Ka dallime të mëdha mes pagave të sektorit publik dhe privat, dhe kjo krijon problem, pasi që shumica kanë dëshirë të gjejnë punë në sektorin publik”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme