Zeka: Ekonomisë i duhen dy vjet të rimëkëmbet, në 100-ditëshin e parë të Qeverisë të ketë mbështetje konkrete

Prishtinë | 28 Mar 2021 | 08:12 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Qeverinë e re e presin një mori detyrash.

Sipas tij, nuk ka kohë për të pritur, duke marrë për bazë vonesat në zbatimin e shumë masave në mbështetje të ndërmarrjeve nga Ligj për rimëkëmbje ekonomike.

Ai tha se zbatimi i masave duhet të ndodhë qysh në 100 ditët e para të qeverisjes së Albin Kurtit, në përkrahje të atyre që janë goditur më së shumti nga pandemia.

“Qeverinë e presin një mori detyrash për të cilat nuk ka shumë kohë për të pritur, duke pasur parasysh vonesat në zbatimin e shumë masave në mbështetje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur masa që janë paraparë me të ashtuquajtur Ligj për rimëkëmbje ekonomike, një pjesë e madhe e masave sidomos atyre monetare nuk janë zbatuar asnjëherë”.

“Kështu mund të vazhdojë zbatimin e këtyre masave apo nëse nuk pajtohet me përmbajtjen e projektligjit mund të iniciojë ndryshimin e tij ose nxjerrjen e një ligji të ri i cili do të adresonte edhe kërkesat e ndërmarrjeve të sektorit privat. Kjo duhet të ndodhë në 100 ditshin e parë të Qeverisë dhe të shohim zbatim më korrekt të masave në përkrahje të punonjësve të goditur nga pandemia”.

Mes tjerash, Zeka tha se do të shkojnë dy vjet deri në rimëkëmbjen e plotë të ekonomisë, duke shtuar se duhet të punohet ne ruajtjen e vendeve të punës.

“Në këtë moment kohor nuk mund të flasim për muaj të rimëkëmbjes ekonomike, por për vite ashtu siç është paraparë në skenarin më të mirë dy vjetët e ardhshme që të kemi një rimëkëmbje të plotë  të gjitha dëmeve të shkaktuara pas shpalljes së pandemisë në nivel nacional në rastin e Kosovës”.

“Ajo çfarë duhet është vazhdim i masave mbështetëse sepse është e nevojshme që të arrijmë të ruajmë dhe shpëtojmë sa më tepër ndërmarrje dhe vende të punës”.

Zeka shtoi se bizneset dhe qytetarët duhet të zbatojnë masat e rekomanduara nga institucionet përgjegjëse për ruajtjen e shëndetit në mënyrë që mos te ketë bllokadë të re, raporton EO.

“Shpresoj që numrat të cilët i kemi parë ditëve të fundit sa i përket infektimeve nuk do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim edhe nuk do të detyrojnë autoritet që të vendosin bllokadë të re qoftë të jetës ekonomike apo edhe jetës sociale. Unë besoj që as ndërmarrjet vetë dhe as shteti nuk ka kapacitete të nevojshme për të mbështetur këto ndërmarrje aktiviteti i të cilave do të kufizohej”.

“Është e rëndësishme që bizneset dhe qytetarët të zbatojnë masat e rekomanduara nga institucionet përgjegjëse për ruajtjen e shëndetit t tyre që të mos ketë bllokadë të re”.

Të ngjashme