Kosova do të arrijë të ketë një normë pozitive të rritjes ekonomike gjatë vitit 2021, në krahasim me atë të vitit të kaluar, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Odës Ekonomie Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.
Se sa do të jetë niveli i rritjes ekonomike në këtë vit varet nga vaksinimi i popullatës si dhe lehtësimi i masave, thotë Zeka.
“Do të presim për statistikat zyrtare nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës për të parë se cili ka qenë ndikimi i pandemisë në rritjen ekonomike përgjatë vitit 2020, por në të njëjtën kohë për të qenë në gjendje për të bërë një parashikim sa i përket normës së rritjes ekonomike përgjatë vitit 2021″.
“Megjithatë Kosova do të arrijë të ketë një normë pozitive të rritjes ekonomike sidomos nëse e krahasojmë me vitin e kaluar por sesa do të jetë kjo normë sërish do të varet nga kufizimet të cilat do t’i karakterizojnë aktivitetet ekonomike si pasojë e vazhdimit të pandemisë Covid-19 edhe gjatë këtij vitit”.
“Ende gjithçka është e paqartë edhe për sa i përket efektit që mund të sjellë edhe vaksinimi i popullsisë edhe lehtësimi i masave kufizuese të cilat kanë dominuar në aktivitetet ekonomike përgjatë vitit të kaluar edhe në këto javë të para të vitit 2021”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Sipas Zekës, është për shumë keqardhje që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende nuk ka nisur zbatimin.
“Është folur gjithmonë për dhjetëra, mijëra vende të punës. Duket që situata megjithatë nuk ka qenë e tillë për sa i përket të dhënave zyrtare atyre që prodhohen nga ana e Administratës Tatimore. Unë do të kisha qenë ithtar i publikimeve zyrtare të cilat do të publikohen nga Administrata Tatimore e Kosovës”.
“Ajo çfarë është me rëndësi të thuhet është se nevojitet një ndërhyrje më e shpejtë e institucioneve edhe sa i përket masave të cilat janë paraparë në Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Është për shumë keqardhje që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ani pse është aprovuar në fund të vitit 2020 nuk ka nisur zbatimin ende edhe pse është ndërlidhur me Ligjin për Buxhetin e vitit 2021”, tha ai për EO.
Ai shtoi se nxitja e investimeve të huaja do të krijojë një bazë të qëndrueshme ekonomike për vendin.
“Gjithçka do të varet nga konsistenca në të cilën institucionet e vendit do ta demonstrojnë së paku në aspektin e rendit dhe ligjit që është parakushti kryesor për nxitjen edhe të investimeve të brendshme dhe të jashtme dhe rrjedhimisht edhe nga tërheqja e investimeve të huaja direkte”.
“Nëse arrijmë të krijojmë një bazë të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike që nuk bazohet vetëm në investitorët e brendshëm atëherë mund të jemi më optimist. Po që se qeveria e re nuk i adreson këto që janë rekomandime tash e sa vite të përfaqësuesve të sektorit privat atëherë nuk kemi shumë shpresa për të pritur që norma e rritjes ekonomike do të jetë më e mirë sesa ajo që ka qenë në vitin 2019”.
“Po sërish duket se pandemia dhe vazhdimi i saj do të ketë një rol goditës për sa i përket normës së rritjes ekonomike por të shpresojmë që viti 2022 dhe 2023 do të jenë më të mira në aspektin e rritjes ekonomike”, përfundoi Zeka.