Zelensky: Lejimi i rusëve në Olimpiadë nënkupton “pranim të terrorit”

Prishtinë | 30 Jan 2023 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se lejimi i Rusisë – e cila po e vazhdon agresionin ndaj ukrainasve – për të konkurruar në Olimpiadën 2024 që mbahet në Paris, do të nënkuptonte se “terrori në njëfarë mënyre është i pranueshëm”.

Madje, Zelensky ka potencuar se për këtë çështje ka biseduar edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Sipas tij, Rusia nuk bën të lejohet që Olimpiadën ta përdorë për propagandë.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka pohuar se përfaqësuesit rusë dhe bjellorusë mund të garojnë si neutralë në Lojërat Olimpike. Por, nëse kjo ndodh, atëherë Ukraina mund ta bojkotojë Olimpiadën.

“Ideja për t’i kthyer atletët rusë në Lojërat Olimpike nënkupton se botës do t’i thuhet se terrori është disi i pranueshëm”, ka thënë Zelensky në një video-fjalim.

Ai ka theksuar se Rusia nuk duhet të lejohet t’i keqpërdorë Lojërat Olimpike dhe ngjarjet tjera sportive si propagandë për agresionin e saj ose shovinizmin e saj shtetëror.

IOC ka theksuar se atletët rusë dhe bjellorusë mund të konkurrojnë si “atletët neutralë”, me arsyetimin se nuk duhet t’u mohohet e drejta e garimit sportistëve shkaku i pasaportës së tyre.

Por Zelensky insiston se nuk mund të ketë neutralitet në sport derisa sportistët e vendit të tij po vriten nga agresioni rus në fushën e betejës.

Të ngjashme