Zelensky nderon Elon Musk me “Urdhrin e Lirisë” të Ukrainës

Prishtinë | 26 Gus 2026 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka akorduar miliarderit dhe themeluesit të SpaceX, Elon Musk, një prej dekoratave më të larta shtetërore të Ukrainës – “Urdhrin e Lirisë”.

Vendimi vjen pas një marrëdhënieje tejet të ndërlikuar mes Musk dhe Kievit, të shoqëruar ndër vite me përplasje publike dhe kritika të drejtpërdrejta ndaj Zelenskyt.

Në dekretin e publikuar nga Presidenca ukrainase, Musk vlerësohet për “merita të jashtëzakonshme personale në mbrojtjen e jetës dhe lirisë së njerëzve”, si dhe për kontributin në forcimin e marrëdhënieve mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në qendër të këtij vlerësimi qëndron Starlink, sistemi satelitor i SpaceX që është bërë jetik për komunikimet ukrainase që nga ditët e para të pushtimit rus në shkurt 2022, transmeton Telegrafi.

Pas shkatërrimit të një pjese të madhe të infrastrukturës së komunikimit, Starlink u përdor nga civilët, institucionet shtetërore dhe ushtria ukrainase. Me kalimin e kohës, dhjetëra mijëra terminale u integruan edhe në operacionet ushtarake dhe përdorimin e dronëve. Por marrëdhënia nuk ka qenë aspak e qetë.

Musk ka kundërshtuar vazhdimisht përdorimin e Starlink për sulme me rreze të gjatë ndaj objektivave ruse, duke argumentuar se një përdorim i tillë mund ta përfshinte kompaninë e tij drejtpërdrejt në luftë dhe të rriste rrezikun e përshkallëzimit.

Një prej rasteve më të diskutueshme lidhej me Krimenë, ku Musk refuzoi një kërkesë ukrainase për aktivizimin e Starlink pranë Sevastopolit për operacione kundër Flotës ruse të Detit të Zi.

Megjithatë, në vitin 2026 Ukraina dhe SpaceX bashkëpunuan sërish për të penguar përdorimin e paligjshëm të terminaleve Starlink nga forcat ruse, pasi Moska kishte nisur t’i përdorte ato në disa dronë sulmues.

Musk ndërkohë ka kritikuar publikisht edhe politikën e Zelenskyyt dhe ka bërë thirrje për përfundimin e luftës përmes negociatave.

Pavarësisht këtyre përplasjeve, Starlink vazhdon të jetë një komponent kyç i komunikimeve ushtarake ukrainase dhe një teknologji veçanërisht e rëndësishme për operacionet me dronë në zonat ku lufta elektronike ruse mund të ndërpresë lidhjet tradicionale.

Tani Ukraina kërkon që Starlink të përdoret edhe nga dronët ukrainas për operacione shumë më thellë brenda territorit rus, përfshirë potencialisht kundër sistemeve të lëvizshme raketore.

Deri tani, Musk nuk ka dhënë miratimin për një përdorim të tillë.

Dekorimi i tij nga Zelensky është kështu një kthesë e jashtëzakonshme në një marrëdhënie që ka kaluar nga mbështetja teknologjike jetike, te përplasjet politike dhe kritikat publike, por që ende mbetet strategjike për Ukrainën.

Të ngjashme