Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se një koalicion mes këtij subjekti partiak dhe Vetëvendosjes do të ishte i mundshëm, vetëm për të dërguar në opozitë pjesëtarët e koalicionit PAN.
I ftuar në Info Magazine, Zemaj tutje shtoi se nga zgjedhjet e fundit të mbajtura më 11 qershor, nuk ka asnjë fitues derisa duke komentuar mandatin e kaluar qeverisës tha se PDK nuk duronte dot sukseset e LDK-së prandaj erdhi deri tek mocioni tinëzar për rrëzimin e qeverisë, transmeton Klan Kosova.
”Besoj që do të jem pjesë e Kuvendit. Fokusi ynë ka qenë fitorja e LDK-së. LDK ka arritur ta konsumojë votën e saj përafërsisht nga zgjedhjet e kaluara. Temat kauzat të cilat janë ngrit kanë pasur efekt në terren. Pavarësisht kësaj është ndërtu një unifikim brenda subjektit për listën, që ka pasur efekt në këtë fushatë zgjedhore”, tha ai.
”Struktura e LDK-së ka besuar fuqishëm në elektoratin. Nuk ka fitues të zgjedhjeve, ka numra, shifra por në aspektin e fituesit ku do thirrej si fitues nuk është prodhuar nga këto zgjedhje. Duke reflektuar mbi të kaluar duhet të marrim hapa për të ardhmen. LDK ka pasur fatin të sakrifikohet për interesin shtetëror në raport me aleatët e saj”.
”Në gjendjen që jemi tani, kemi thënë se struktura e LDK-së nuk e duron koalicionin me PDK-në. Për shkak se bashkëqeverisja brenda strukturave udhëheqëse ka pasur mos-koordinim mes tyre.
”PDK nuk i duronte sukseset e LDK-së. Kulmi i saj ka qenë mocioni, mocion tinëzar dhe ky ka qenë qëllimi të shkohet në zgjedhje. Haradinaj për ne është PAN, prandaj ne e shohim si Parti Demokratike. Këtë koalicion e shohim Partia Demokratike e Kosovës me aleatët e vet”, theksoi ai.
”Nuk kemi nevojë për rimëkëmbje. Ne jemi me vota shumë mirë. Nga ky pozicionim që jemi për ta quar këtë koalicion në Opozitë, ne preferojmë një bashkëpunim me VV-në”.
”Interesimi im është që këta që janë në këtë koalicion, të jenë në opozitë. Pas certifikimit të rezultateve dhe mund të japin një ide të qartë se çka të bëhet”.