Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Armend Zemaj, tha se nënshkrimet për thirrjen e kuvendit kanë qenë në përputhje me statutin e partisë dhe se tash vendimi u takon delegatëve, raporton Ekonomia Online.
Zemaj deklaroi se procesi është pjesë e demokracisë së brendshme të LDK-së dhe mohoi se priten tensione gjatë zhvillimit të kuvendit.
“Po, nënshkrimet e kanë pasë formën e vet statutare. Tash është në dorën e të gjithë delegatëve që të vendosin për fatin politik dhe të ardhmen e lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Zemaj.
I pyetur nëse është pro apo kundër shkarkimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe nëse priten përplasje gjatë kuvendit, Zemaj tha se nuk do të ketë tensione.
““Asnjë nuk do të ketë tensione, keni parë e dini, edhe delegatët janë përballë me me disa ëh presione t’i quaj kështu më shumë mediatike, në kuptimin pozitiv. Por kjo është demokracia, këtë e promovon vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas Zemajt, ngjarje të tilla janë dëshmi e demokracisë së brendshme në LDK dhe, sipas tij, nuk ndodhin në partitë e tjera.
“Këto ngjarje nuk mund t’i shihni në parti të tjera, që besoj as në partitë ëh në vendet e rajonit, andaj kjo është vetëm për fuqizimin e LDK-së dhe asgjë tjetër”, tha ai.
Duke komentuar faktin se një proces i ngjashëm ishte zhvilluar edhe më herët në parti, Zemaj tha se kjo është pikërisht arsyeja pse LDK funksionon si një subjekt demokratik.
“Për këtë arsye jemi parti demokratike, për këtë arsye kërkojmë suksese më të mëdha dhe për këtë arsye nuk ndalemi derisa ta kemi partinë LDK të parë edhe për ashtu e cila është krijuar dhe formuar”, shtoi Zemaj.
