Koha Ditore sot ka publikuar shtojcën “Koha për të mbijetuarat” që ka për qëllim t’i sjellë zërat dhe kërkesat e të mbijetuarave dhe të mundësojë të kuptuarit më të saktë të kompleksitetit që e rrethon dhunën seksuale të ndërlidhur me konfliktin dhe ndikimin shkatërrues që ka në individë dhe në shoqëri.
Dita ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikt, për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale anembanë botës dhe për të përkujtuar të gjithë/a që me guxim kanë përkushtuar jetën e tyre dhe kanë humbur jetën në beteja për çrrënjosjen e këtyre krimeve.
Në vitin 2015, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 19 qershorin e çdo viti Ditë ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.
Ky vit shënon 10-vjetorin e miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1820 (2008), me anë të së cilës Këshilli dënon dhunën seksuale si taktikë lufte dhe pengesë për ndërtimin e paqes.
Më poshtë mund të lexoni Zërin e të Mbijetuarave:
“O kanë vështirë shumë. S’kena pasë përkrahje prej kërkujt. Jena konë shumë keq, e kena ndi veten shumë keq. Kena pasë shumë të këqija, kena pasë paragjykime, s’jena konë t’lira me dalë kërkun,, me shnetë jo mirë… tanat janë kanë.”
“Me vite, kemi qenë shumë herë të viktimizume… gjithmonë me gisht kah na. Jemi konë n’mëshirën e Zotit. Shume shoqe tona tash nuk jetojnë, e sa herë që bahet diçka mirë për neve, gjithmonë kena emocione, se s’jonë ato n’mesin tonë. “
“Na t’prapambetne, pa pas kurrë rrogë, pa punë… krejt t’prapambetne jena, veç t’mshelne kena nejt, amvise qaty, me fshi. S’je dalë as me pa nji shoqe,veç n’kojshi, edhe aty rrallë, se s’kanë lonë me dalë.”
“Hasret pe pres me ardhë ky pension, për mu shëru ma s’parit, se kom shumë probleme.
Prej lufte, krejt t’smuta jena, haj medet…
Prej lufte ma, kurqysh hiç, hiç, …jena shkatërru loçka jeme, jena shkatërru.”
“Tash na nevojitet me ardhë nji e ardhme ma e mirë, me pasë shendetin ma s’pari, me pasë me u shëru me pare tona e mos mu bo myftjaq, po m’i pasë t’drejtat tona, e mu shëru me pare tona.”
“Nga institucionet e Kosovës kërkoj m’u zbardh ky krim që ka ndodhë mbi trupin e grave kosovare. Na mund t’i gëzojmë këto pensione herëdokur, po na dojmë me qenë ai krim i dënuar, ma s’shumti do t’jemi t’kënaqne kur dënohet ai.”
“Përderisa nuk ka drejtësi ndaj kriminelëve, ne jemi gjithmonë t’fajshme e t’turpnume. Po n’qoftë se ni kryes i veprës ndëshkohet, atëherë shpirti jonë do t’jetë ma i qetë.”
“Si lutje për institucionet oshtë që këtë kategori ta trajtojnë si krejt kategoritë e dala nga lufta”
“Jeta na u ka përmirësu, se shoqnohemi me njona -tjetrën. Veç doren kur ia jepim njona-tjetrës, ni shtrëngim i dorës, e dimë që po e kuptojmë vujtjen, e kem ni mbështetje.
Zgjatja e dores, e çdo shtrengim i dorës tonë, neve na jep ni shpresë për jetë. Na jep ni fuqi.
E kjo oshtë ajo që kisha thone, që t’gjitha ato gra që e kanë përjetu kete krim, t’mos heshtin. Se unë e kom gjet mbështetjen e kanë me gjet edhe ato.”