Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në Facebook ka thënë se i gjithë procesi i përzgjedhjes së rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës, ka qenë transparent dhe siç u shpreh ajo, i bazuar në meritokraci.
Ajo tha se vetëm një rektor i zgjedhur në këtë formë do të jetë në gjendje të ndërkombëtarizojë UP-në.
“Për herë të parë kemi krijuar një praktikë që do të transformojë rrënjësisht mënyrën e zgjedhjes së Rektorit si dhe mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës. Vetëm një Rektor i zgjedhur në këtë formë do të jetë në gjendje të ndërkombëtarizojë UP-në, ta garantojë: hapjen e pozitave të reja për staf akademik të mirëpërgatitur, të zbatojë një reformë strukturore të rekrutimit të stafit elitar akademik për secilën pozitë të lirë në UP (që aktualisht mbahen ‘peng’ kundërligjshëm). UP e meriton të shndërrohet në mjedis akademik ku mbizotëron cilësia intelektuale ashtu siç e meriton ky institucion me rëndësi jetike për vendin tonë”, ka shkruar ajo.
Nagavci ndër të tjera theksoi se rektori i ri i UP-së, Qerim Qerimi ka ndjekur kërkime postdoktorale në Universitetin e Harvardit.
Rektori i ri Qerimi ka ndjekur kërkime postdoktorale në Universitetin e Harvardit dhe në Universitetin e Antëerp-it, ka qenë studiues i Institutit “Max Planck” për të Drejtën Publike Krahasuese dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg. Po ashtu është student i Akademisë së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare.Ka qenë zëvendës Dekan për Çështje Akademike të Fakultetit Juridik dhe ushtrues detyre i prorektorit të UP-së.Gjithashtu, ka qenë i angazhuar si ekspert për organizata si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, USAID, DFID, UNDP, IOM dhe Banka Botërore për çështje që lidhen me sundimin e ligjit, zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve në vendet në tranzicion”.
“Falenderoj Këshillin Drejtues të UP-së për punën që e kanë bërë në gjithë këtë proces. Po ashtu, falenderoj kandidatët të cilët kanë marrë pjesë në këtë garë. Pres shumë që rektori Qerimi të punojë pa kompromis për shkencën, universitetin e publiken e të ketë vizion për të bartur detyrën e drejtimit të Universitetit. Universitetit të Prishtinës e rektorit Qerimi u dëshiroj punë të mbarë e suksese”, ka shkruar tutje Nagavci.