Zgjedhjet dhe vakuumi institucional ndikojnë në Raportin e Progresit

Prishtinë | 26 Tet 2017 | 19:31 | Nga

Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2017, i njohur si Raporti i Progresit, ndryshe nga praktika e deritashme e publikimit në muajt e fundit të viti, do të publikohet në vitin e ardhshëm, thonë zyrtarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane e Qeverisë së Kosovës.

Raporti, sipas tyre, pritet në muajin prill të vitit 2018, ndërkohë që institucionet e Kosovës tashmë kanë pranuar mbi 1 mijë e 500 pyetje specifike, për të gjitha fushat për të cilat do të raportohet në kuadër të Raportit të Vendit.

Demush Shasha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve Evropiane i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tash e rreth një muaj e gjysmë, kjo ministri i ka shpërndarë të gjitha pyetjet tek institucionet përgjegjëse.

“Viti 2017 ka qenë një vit i zgjedhjeve, prandaj kjo do të nënvizohet në Raport të Vendit. Por, njëkohësisht, ka pasur përparim konkret në disa fusha, që nga fillimi i institucioneve. Nëse flasim për sundimin e ligjit, me këtë rast, është bërë koncept -dokumenti për suspendimin dhe largimin e zyrtarëve, të cilët janë të përfshirë në akte të korrupsionit apo krimit të organizuar dhe se do të largohen nga shërbimi publik. Nëse është fjalë për Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, Qeveria tashmë e ka miratuar. Ka pasur një numër të veprimeve, të cilat Qeveria, në afat sa më të shkurtë i ka ndërmarrë dhe besojmë që të gjitha këto do të pasqyrohen në kuadër të Raportit të Vendit, si progres i menjëhershëm, i cili ka filluar pas themelimit të institucioneve”.

Në anën tjetër, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kriza politike, e cila u pasua me zgjedhje lokale, mbajtja e këtyre zgjedhjeve, si dhe e atyre lokale, i kanë marrë Kosovës kohë, e cila vështirë se mund të kompensohet për përmbushjen e obligimeve, fillimisht ndaj qytetarëve të Kosovës, por edhe sa i përket përmbushjes së kërkesave që burojnë nga agjenda evropiane.

“Raporti i Progresit për Kosovën, unë pres që në rend të parë ta adresojë çështjen e jostabilitetit politik, duke iu referuar institucioneve apo krizës institucionale, e cila e ka përshkruar Kosovën gjatë viti 2017. Natyrisht, pastaj, pamundësia e legjislativit për të nxjerrë ligje të nevojshme, mungesa e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mungesa e fuqizimit të sundimit të ligjit. Do të potencohet mbase edhe problemi me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, pa i harruar edhe ngecjen në zhvillimin ekonomik, reformat adekuate, zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”.

Profesor Ujkani ka shtuar se ka mbetur ende kohë që institucionet e vendit t‘i miratojnë një pjesë të ligjeve dhe politikave. Por, ai është shprehur skeptik se kjo do të ndodhë.

“Duke u nisur nga fakti që kemi një shumicë (parlamentare), e cila nganjëherë gati se është ngushtë me numra, kjo edhe mund të jetë pengesë. Do ta shohim se si do të funksionojë Kuvendi në miratimin e këtyre ligjeve. Unë nuk është se jam shumë optimist, ndonëse do të doja që ndodhte që të kemi një dinamikë më të madhe, veçanërisht në miratimin dhe ndryshimin e ligjeve, që janë të nevojshme”.

Por, Shasha shprehë mendimin se një nga vështirësitë kryesore është zbatimi i legjislacionit, ndonëse siç thotë ai, aktiviteti legjislativ duhet vazhduar dhe korniza ligjore duhet të shkojë drejt avancimit, në të gjithë sektorët.

“Prandaj, nuk e konsideroj aq pengesë, në kuadër të procesit të integrimit, mungesën e miratimit të ligjeve të reja ose plotësim- ndryshimin e ligjeve ekzistuese. I rëndësishme është zbatimi efektiv i kornizës ligjore në fuqi”, tha Shasha.

Ai ka shtuar se ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, më 3 nëntor do ta bëjë dorëzimin zyrtar të përgjigjeve për Raportin e Vendit. Gjithashtu, sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë edhe një mundësi të raportimit për zhvillimet shtesë.

Të ngjashme