Zgjedhjet e parakohshme duket të jenë punë e kryer, pasi këtë përveç opozitës është duke e dashur edhe partia më e madhe në pushtet, PDK, dhe atë në koordinim edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Mocioni i mosbesimit për Qeverinë i iniciuar nga partia e Fatmir Limajt, po del të jetë i koordinuar mirë, dhe me shumë gjasë do të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbahen një vit para afatit ligjor.
Gazeta Metro ka mësuar se në PDK, vendimi për zgjedhje të parakohshme tanimë është marrë, pavarësisht faktit se kjo po vazhdon të mbahet e fshehtë.
Presidenti, Hashim Thaçi, dje në media deklaroi se te partnerët e koalicionit nuk ka disponim për zgjedhje të parakohshme. Në fakt, ai deklaroi të kundërtën me atë që në një takim sekret u ka thënë disa personaliteteve të rëndësishme në PDK.
Burime nga ky takim, i kanë thënë Gazetës Metro, se Thaçi u ka thënë atyre, se vendimi është marrë dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbahen në muajin qershor të këtij viti. Ky takim është zhvilluar me qëllimin për t’u qartësuar rreth kësaj çështje, pasi edhe pse është vërejtur në PDK një frymë pro zgjedhjeve të parakohshme, kjo situatë ka qenë disi e turbullt.
PDK-ja së bashku ish-kryetarin e kësaj partie, tash presidentin e Kosovës janë koordinuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në muajin qershor.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, po shpreson që ta qoj mandatin e tij deri në fund, por si duket atij do t’i përfundojë mandati një vit me herët.