Procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka përfunduar në gjithë Turqinë.
Një orë më parë, në ora 16:00 sipas kohës lokale, votimi përfundoi 32 provinca, në të cilat kutitë ishin hapur në ora 7:00. Ndërkaq, procesi në ora 17:00 sipas kohës lokale përfundoi në provincat e mbetura, ku votimi kishte filluar në ora 8:00.
Me përfundimin e procesit të votimit ka filluar edhe numërimi i votave.
Në zgjedhjet e sotme, rreth 57 milionë votues kishin të drejtë të hedhnin votën e tyre në 194.390 vendvotime.
Sipas vendimit të Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë (YSK), në këto zgjedhje garuan 12 parti politike.
Betejën kryesore zgjedhore do ta zhvillojnë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP), Partia İYİ dhe Partia Demokratike e Popujve (HDP), raporton AA, përcjell Klan Kosova.
Shtatë partitë e tjera që morën pjesë në zgjedhje janë Partia e Pavarur Turke (BTP), Partia e Unitetit të Madh (BBP), Partia Demokratike (PD), Partia Demokratike e Majtë (DSP), Partia Saadet, Partia Komuniste e Turqisë (TKP) dhe Partia Vatan.
Votuesit në Turqi shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur kandidatët për kryetarë të komunave, përfaqësues të fshatrave ose njësive të vogla administrative (Muhtar), anëtarë të këshillave komunalë, anëtarë të këshillave të përgjithshëm provinciale, si dhe anëtarë të këshillave dhe asambleve të fshatrave.
Radio-kanalet dhe mediat nga ora 18:00 deri në ora 21:00 do të kenë ndalesë raportimi mbi zgjedhjet, publikimi të çfarëdo komenti apo parashikimi mbi zgjedhjet apo rezultatet e zgjedhjeve, por do të mund t’i transmetojnë njoftimet e YSK-së.
Ndryshe, zgjedhjet e sotme janë të 19-tat në historinë moderne të Turqisë, dhe të parat nën sistemin e ri presidencial, i cili filloi të implementohet pas zgjedhjeve presidenciale dhe të 27-tat parlamentare që u mbajtën më 24 qershor të vitit të kaluar.