Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni mund të mbahen më 21 prill

Prishtinë | 15 Jan 2019 | 19:05 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet presidenciale mund të mbahen më 21 prill ndërsa raundi i dytë më 5 maj. Paraprakisht marrëveshja ishte që presidencialet të mbahen më 14 prill, ndërsa raundi i dytë më 28-in e muajit të njëjtë.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, sqaroi se opsioni i dytë bie për shkak se në datën e njëjtë me raundin e dytë të presidenciale është Festa e Pashkëve.

Shpalljen e zgjedhjeve presidenciale Xhaferi e paralajmëron në javën e dytë të muajit shkurt.

“Për faktin që 28 prilli ka të bëj dhe korrespondon me ditën e Pashkëve, sugjerimi është që raundi i parë të mbahet më 21 prill dhe raundi i dytë më 5 maj me faktin që deri më 12 maj duhet të bëhen të gjitha përgatitjet dhe vendimet paraprake që burojnë nga KSHZ-ja. Më së voni më 8 shkurt unë duhet t’i shpall zgjedhjet presidenciale me atë që të siguroj që raundi i parë të mbahet më 21 prill – deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit”, shkruan alsat-m përcjellë Klan Kosova.

Partnerët e koalicionit qeveritar akoma janë duke biseduar për emrin e kandidatit konsensual për president. Ndërkohë opozita shqiptare akoma nuk e ka ndarë mendjen nëse do t’i bashkojë forcat për një kandidat të përbashkët apo do të dalin me kandidatët e tyre.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se pa zgjedhje të parakohshme parlamentare, bojkoti i zgjedhjeve presidenciale mbetet opsion për t’u shqyrtuar.

Idenë për zgjedhje të përbashkëta e shqyrton LSDM-ja, por jo edhe partneri i koalicionit qeverisës BDI e cila vlerëson se vendit i duhet stabilitet politiko-ekonomik, posaçërisht para raportit të Këshillit Evropian në muajin qershor.

Ditëve në vijim pritet që opozita të mbyll konkursin për kandidatin për president.

Jo zyrtarisht deri më tani është paraqitur vetëm një kandidat.

Konventën promovuese opozita do ta mbajë në Strugë ku edhe pritet pjesëmarrja e mbi 500 delegatëve.

Derisa rrjedh afati për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, Kuvendi po menaxhon edhe afatet për shpalljen zgjedhjeve lokale në Dibër, Ohër dhe Novo Sellë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme