Mospërfshirja e OSBE-së në monitorimin e procesit zgjedhor në Kosovë, paraqet një mesazh të mirë për vendin ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV).
Ai madje thotë se ky është procesi i dytë zgjedhor që organizohet pa përfshirjen e këtij misioni.
“Ky do të jetë procesi i dytë zgjedhor që zhvillohet në veri të vendit pa përfshirjen e OSBE-së, meqenëse edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut për herë të parë KQZ-ja kishte marrë vendim që të mos kërkojë as asistencë teknike nga ana e OSBE-së, asistencë teknike e cila është ofruar në të gjitha proceset zgjedhore pas viti 2013 e më herët”.
“Besoj që ky element përbën një zhvillim pozitiv për KQZ-në në radhë të parë dhe për procesin zgjedhor në tërësi. Tregon një gatishmëri dhe aftësi më të madhe të KQZ-së për të organizuar e administruar procesin zgjedhor edhe në komunat me shumicë serbe ku zakonisht ka pasur trende më të larta për parregullsive. Është një mesazh i mirë që dërgohet nga ana e Kosovës për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje”.
Përveç kësaj, Cakolli tregon se për shkak të avancimit të procesit zgjedhor nga ky institut do të ketë ndryshime në metodologjinë e vëzhgimit të zgjedhjeve.
“Jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të avancimit të procesit zgjedhor si dhe përmirësimit të ndjeshëm të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në këto zgjedhje Demokracia në Veprim ka ndryshuar metodologjinë e vëzhgimit të zgjedhjeve”.
“Kësaj here nuk do të mbulojmë të gjitha vendvotim siç kemi bërë më parë. Mirëpo me anë të një mostre të përcaktuar nga një metodologji statistikore e njohur si PVT ne do të mbulojmë diku rreth 1|4 e vendvotimeve në nivel vendi. Sidoqoftë mostra e përcaktuar nga ekspertë të fushës do të na mundësojë që si Demokraci në Veprim të kemi mbulueshmëri në nivel vendi e cila do të përfaqësojë edhe një mostër e cila tregon që nëse një parregullsi është duke ndodhur në një vendvotim të caktuar, atëherë mostra garanton që një parregullsi e tillë ka gjasa të jetë duke ndodhur edhe në një numër tjetër të vendvotimeve, përkatësisht sikur të kishim mbuluar të gjitha vendvotimet”.
Poashtu Cakolli ka treguar për EO se në këto zgjedhje nga DnV do të ketë gjithsej 489 vëzhgues në vendvotime dhe 100 ekipe mobile ndihmëse.
“I njëjti parim vlen edhe sa i përket rezultateve të subjekteve politike me ç’rast DNV kësaj here do të angazhoj 489 vëzhgues për vendvotime ane mbanë vendit si dhe do të kemi rreth 100 ekipe tjera që do të shërbejnë si ekipe mobile të cilat do të jenë në ndihmë të vëzhguesve tanë nëpër terren, por edhe do të marrin përshtypje të përgjithshme të procesit zgjedhor jashtë qendrave të votimeve. Me anë të kësaj metodologjie i bie që ne do të mbulojmë pjesën më të madhe qendrave të vendosura në të gjitha komunat”.
Sipas Cakollit DnV do të mbulojë gjithsej 500 vendvotime në zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen më 14 shkurt.
“Në bazë të listave tona preliminare ne do të mbulojmë 500 vendvotime në nivel vendi si dhe rreth 100 ekipe tjera rezervë apo mobile. Pra nga gjithsej 2500 vendvotime sa kanë qenë herën e kaluar e që pritet të jetë një numër i përafërt edhe në këto zgjedhje ne do të mbulojnë 500 prej tyre”.
Tutje Cakolli ka deklaruar për EO se për shkak të pandemisë në këto zgjedhje s’do të mbulojnë fushatën zgjedhore në nivel vendi.
“Për shkak të kufizimeve të pandemisë ne kemi vlerësuar që në këto zgjedhje të mos mbulojmë fushatën zgjedhore në nivel vendi. Do të angazhojmë 16 vëzhgues afatgjatë të cilët do të monitorojnë periudhën e fushatës në shtatë qendrat më të mëdha në Kosovë pra në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë”.
“Si dhe dy vëzhgues tjerë afatgjatë do të mbulojnë fushatën që do të zhvillohet në komunat ku komuniteti serb është shumicë përfshirë këtu një vëzhgues për pjesën veriore të vendit dhe një tjetër për komunat e tjera”.